Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka dalë me një reagim zyrtar pas përhapjes së informacioneve se gjatë ndërtimit të spitalit modular në Tetovë ka pasur lëshime. Në reagimin zyrtar, MSH thotë se të gjitha spitalet modulare në shtet janë ndërtuar sipas standardeve të larte mjekësore dhe të sigurisë.
Sipas ministrisë, qendrat modulare Covid përfshirë edhe atë në Tetovë, janë hapur pas kontrollit teknik.
“Gjatë ndërtimit të të gjitha spitaleve modulare, materialet e implantuara janë të certifikuara. Ministria e Shëndetësisë informon se qendra e COVID -it në Tetovë është projektuar me tre hyrje, korridoret janë të gjera 2.4 metra dhe parmakët e dritareve janë të ulëta për raste evakuimi. Në këto objekte nuk është përdorur dru, dhe janë vendosur të gjitha elementet tjera të nevojshme për mbrojtje.
Pas lëshimit në përdorim, është bërë pranim teknik. Gjatë ndërtimit ka përshkrime të dokumentuara për vërejtje teknike të parëndësishme – mbulesa dyshemeje silikoni, nivelimi i sifonit në tualet, shtrirja e një pjese të ulluqeve, etj. Pas këtyre kërkesave, ato u korrigjuan para se të viheshin në përdorim dhe të shtroheshin pacientët në spital. Këto dokumente do t’i dorëzohen publikut dhe mediave për shqyrtim që sot”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim theksohet se spitali në Tetovë i ka të gjitha certifikatat e nevojshme për mbrojtje nga fatkeqësitë.
“Bëjmë thirrje të mos spekulohet me informacione të tillë. Ministria e Shëndetësisë pret që ekspertët dhe organet hetimore të hetojnë sa më shpejt këtë rast të tmerrshëm. Të gjitha aspektet e çështjes duhet t’i nënshtrohen një hetimi të plotë dhe të shpejtë dhe sigurisht përgjegjësisë nëse hetimi e tregon këtë. Vetë qendrat modulare të kovidit kanë qenë dhe janë akoma vendimtare në trajtimin e pandemisë dhe shtrimin në spital të pacientëve. Ato janë ndërtuar sipas standardeve më të larta, dhe prokurimi i bërë nga Ministria e Shëndetësisë është në përputhje me standardet për spitale të tilla që përdoren në shumë vende të botës.” /abcnews.al/

