Projekti për Unazën e Madhe, Shkreli: Kostoja më e vogël se në kohën e Bashës

schedule18:50 - 5 Dhjetor, 2018

schedule 18:50 - 5 Dhjetor, 2018

I ftuar në “Mbrëmje Ide” me gazetaren Mirela Milori ishte zv-ministri i Infrastrukturës Artan Shkreli. Një diskutim mbi situatën e protestës së banorëve në zonën e Unazës së Re dhe projektet e qeverisë për infrastrukturën ne vitin 2019.

Fillimisht Shkreli diskutoi për protestën e banorëve tek Unaza e Re dhe përgjigjen ndaj akuzave të banorëve se nuk janë njoftuar për shembjen e banesave të tyre dhe se si do të veprohet për ata që kanë vite që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në këtë zonë.

“Fakti që kanë shumë vjet që kanë ndërtuar shtëpinë nuk e çliron rrugën nga ndërtimi i autostradës. Këta janë të fundit që po preken, janë prishur me dhjetra e qindra shtëpi, aty ku ligji ka përcaktuar se do të prishen shtëpitë. Në akse te tilla nuk të le ligji të legalizosh.”

I pyetur nga gazetarja Milori për mënyrën se si do të dëmshpërblehen banorët ai tregoi për bonuset që do të ofrohen për ta.

“Këta banorë do të trajtohen njësoj si banorët që u janë prishur shtëpitë në Lungomare dhe shumë ndërhyrje te tjera në kuadër të rilindjes urbane. Banorëve u ofrohen bonuse qiraje dhe familjet me probleme sociale do te strehoen ne banesa sociale. Kjo është një përgjegjësi sociale që ka një kosto jo të vogël. Drejtësia më e mirë është përmbajtja ndaj ligjit të legalizimeve që detyron pushtetin vendor për të bërë veprime të caktuara. Ligji i i fundit i pronave është mbështetur nga Strazburgu.”

Shkreli foli gjithashtu dhe për akuzat e bëra nga PD dhe nga vetë banorët për koston shumë të madhe të kësaj rruge.

“Aksi autostradal normal ka realisht shumë më pak shpenzime se bërja e një unaze, por edhe ngarkesa disa fish më e madhe për mbikalimet e makinave, këmbësorëve dhe barrierat anësore etj, është një kosto e jashtëzakonshme në krahasim me autostradën. Megjithatë analiza që është bërë për kilometra e Unazës në fjalë është më e vogël kostoja se sa kostoja e Unazës që është bërë në kohën e Lulzim Bashës.”

Zv/ministri i Infrastrukturës gjithashtu tregoi për “Mbrëmje Ide” dhe planet për buxhetin e vitit 2019 dhe orientimin e investimeve në infrastrukturë.

“Infrastruktura do të hajë buxhetin kryesor në planin e buxhetit të shtetit. Infrastruktura përfshin 4 elemente: rrugore, hekurudhore, detare dhe ajrore. Infrastruktura rrugore merr pjesën më të madhe në 2019. Rrugët kryesore për të ndërhyrë janë bypasset e qyteteve. Është avancuar me bypassin e Fierit, bypassi i Vlorës fillon me fillimin e vitit punimet. Bypassi i Shkodrës tani do të zhbllokohet. By passi i Tepelenës janë zhvilluar 15% e punimeve. Po përgatitemi për bypassin e Elbasanit. Do vazhdojmë rrugët si p.sh. Karrdhiq-Delvinë. Një vëmendje të veçantë në buxhet kanë dhe PPP-të. Do vazhdojnë të punohen rrugët Thumanë-Kashar, Milot-Morinë, Orikum-Dukat. Në varësi të rrugëve mbarojnë brenda një 2-vjeçari.”

Shkreli tregoi se tashmë do të realizohet dhe hekurudha Tiranë-Durrës dhe planin për rilindjen urbane në territorin e Shqipërisë.

“Më në fund bëhet hekurudha Tiranë-Durrës. Tren me shpejtësi të lartë. Për 19 minuta bëhet Durrës-Tiranë. Çmimi i biletës do të ruhet në nivele aktuale. Planifikohet bërja e një hekurudhe të lehtë ku do të futet tek stacioni i trenit ku treni do të jetë elektrik. Shpresojmë se në pranverën e vitit 2019 territori i Shqipërisë do të jetë mbuluar me planin e përgjithshëm rregullues. Rilindja urbane do të vazhdojë në ritme më të ngadalsuara sepse do i jepet më vemendje rilindjes rurale. Janë 100 fshatra që po financohen. ”/abcnews.al