Në fillim të këtij viti shkollor kryeministri Edi Rama ka përsëritur vendimin e Ministrisë së Arsimit se nuk do të lejohet celular në shkollë. Kjo vlen për nxënësit dhe mësuesit- paralajmëroi kreu i qeverisë në takimin që zhvilloi me mësuesit.
Kanë ardhur mësues nga e gjithë Shqipëria në Tiranë për të marrë urimin e kryeministrit Edi Rama për fillimin e vitit të ri shkollor. Por edhe një urdhër të prerë.
“Nuk do të lejojmë celular në shkollë. As për fëmijët dhe më vjen keq as për mësuesit. Mësuesit duhet t’i dorëzojnë në fillim të mësimit dhe ti marrin në fund të mësimit”.
Kryeministri Edi Rama bëri edhe një sqarim për ankesat e prindërve me librat shkollorë që duhet të kthehen në fund të vitit.
“Të shpjegohet pse i duam ne librat mbrapsht. Kam dëgjuar komente fantastike që po na stresojnë. Pse është stres t’i thuash fëmijës që ky që ke në dorë është miku yt më i mirë. Fëmijët e kuptojnë, ata që nuk e kuptojnë janë këta prindër që stresohen që i mundon ideja se libri nuk mund të shkarravitet, se shkarravitja e librit i duket liri, ndërsa ruajtja i duket diktaturë”.
Një përgjigje i jep edhe akuzave të opozitës.
“Siç thonë disa nga këta që zbulojnë të gjitha hilet se jetojnë me hile për vete, ta kanë me hile. Jo, është raporti me librin”.
Risi e këtij viti shkollor sipas kryeministrit Edi Rama është se këtë vit 700 mësues do të jenë të dedikuar vetëm për nxënësit me aftësi të kufizuar. Ndërsa qeveria ka marrë përsipër të mbulojë të gjithë shpenzimet për nxënësit ekselente. /abcnews.al