Rruga e Borshit u prish për 6 muaj, Rama: Mos ma sulmoni Salillarin

schedule14:12 - 15 Janar, 2021

schedule 14:12 - 15 Janar, 2021

Prishja e rrugës së Borshit 6 muaj pas rikonstruksionit ka shkaktuar mjaft reagime në opinionin publik, por kryeministri Rama e ka lexuar këtë si një sulm ndaj kompanisë që kreu aty punimet.

Gjatë konferencës së mesditës së sotme, Rama kërkoi kërkoi që të mos sulmoheshin bizneset duke iu referuar pikërisht punimeve të kryera nga kompania “Salillari” në rrugën e prishur në Borsh.

“Unë konsideroj të paparshtatshme që të sulmohen kompanitë në mungesë të analizës.

Mund të jetë një rrugë e bërë edhe sot dhe për arsye që nuk lidhen me kompaninë, por në kushtet e një lëvizje gjeologjike mund të ketë çarje.

Ashtu sikundër mund të jetë edhe kompania shkaktare, por kjo kërkon analizë. Të çosh kamera në një rrugë të çarë dhe t’ia kërcasësh kompanisë me shkop kokës, mban më shumë era gjobë sesa era gazetar.

Mos bëni gjueti shtrigash me kompanitë. Mos bëni gjueti shtrigash me njerëzit që kontribuojnë. Askush nuk është engjëll.

Është fatkeqësi e madhe që nuk e kam parë në vende të tjera që këtu suksesi kthehet në mallkim dhe suksesi i këtyre njerëzve që kanë ngritur kompani dhe i japin punë dhjetëra mijëra familjeve është bërë mallkim i tyre.

Goditen nga mëngjesi në darkë sic goditeshin kulakët pas çlirimit. Është fatkeqësi e madhe.

Rasti konkret mund të jetë përgjegjësi e kompanisë, nuk e përjashtoj, por mund të mos jetë përgjegjësi e kompanisë. Prandaj duhet hetuar. Ka një hetim që po bëhet nga KLSH”, tha Rama. /abcnews.al