Superiorja u mbyll dje, sigurisht për vitin 2020, dhe rikthehet shumë shpejt, pasi më datë 9 janar do të zhvillohen takimet e javës së 13-të. Gara do të nisë me duele mjaft interesante duhet thënë, pasi përballen dy ekipet e vendeve të para.
“Loro Boriçi” do të hapë dyert për Vllaznia-Teuta, skuadra që duan titullin kampion. Në Durrës palët u ndanë në barazim dhe për shkodranët edhe një barazim nuk do të ishte keq, sa kohë “Djemtë e Detit” i mban poshtë.
Kuqeblutë janë më të qetë, duke parë se ka edhe një duel direkt Laçi-Kukësi, apo edhe faktin që Tirana luan një transfertë të vështirë kundër Bylisit. Kështu, shanset që ndonjë ekip të ngecë janë të mëdha.
Partizani është më komod, pasi pret Apoloninë e vendit të fundit. Gjithsesi fierakët nuk duhen nënvlerësuar. Takim për t’u parë është edhe ai mes Kastriotit dhe Skënderbeut, sfidë që zhvillohet në Kamzë mes dy skuadrave që synojnë qëndrimin në elitë. /abcnews.al