Shqipëria ka dënuar ashpër sulmin e rebelëve Huthi ndaj Mbretërisë së Arabisë Saudite, i cili ka shkaktuar disa viktima dhe qindra të plagosur. Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, theksoi se sulmet e përsëritura nga rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal.
Sipas ministrit, këto sulme rrezikojnë jetën e civilëve dhe minojnë përpjekjet ndërkombëtare për vendosjen e paqes dhe garantimin e sigurisë në rajon.
Hoxha nënvizoi se nuk mund të ketë asnjë justifikim për sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, duke kërkuar që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.
Kreu i diplomacisë shqiptare shprehu gjithashtu ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave, si dhe solidaritetin e plotë të Shqipërisë me popullin dhe autoritetet e Arabisë Saudite.
“Shqipëria dënon në termat më të fortë sulmin e fundit me pasoja në jetë njerëzish të grupit Huthi kundër Mbretërisë së Arabisë Saudite.Sulmet e përsëritura nga rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal, rrezikojnë jetën e civilëve dhe minojnë përpjekjet për të nxitur paqen dhe sigurinë në rajon.
Nuk mund të ketë asnjë justifikim për sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile. Përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi.
U shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të viktimave dhe solidaritetin tonë të plotë me popullin dhe autoritetet e Arabisë Saudite”, shkruan ministri.


