TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama ka vlerësuar transformimin e Malësisë së Madhe dhe Përmetit, duke i cilësuar si dy destinacione të Shqipërisë së re.
Në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh se dikur këto zona konsideroheshin vende të largëta, ku njerëzit shkonin kryesisht për të vizituar familjarët, pro sot situata ka ndryshuar dhe të dyja zonat janë shndërruar në destinacione të Shqipërisë së re, falë punës dhe investimeve të realizuara ndër vite.
“Duke përgatitur pak minuta më parë këtë episod që është i pesti i sezonit të shtatë të podcastit ‘Flasim’, po mendoja që njëherë e një kohë, por jo 100 vjet përpara, 10 vjet përpara, qoftë Malësia e Madhe, qoftë Përmeti ishin ndër ato pika në hartën e Shqipërisë që dukeshin shumë larg dhe nga ana tjetër, ku dukej për së largu, pa shkuar, që s’kishte asnjë arsye për të shkuar. Kujtova po ashtu që në kohën kur unë nuk isha ende në këtë detyrë dhe për shkak të detyrës që kisha më parë, duhet të bridhja Shqipërinë.
Qoftë Malësia, qoftë Përmeti ngjanin si vende pa shpresë, ky kush ishte aty ishte thjesht ende aty, por të nesërmen s’do të ishte më aty. Kush vinte, vinte ose se kishte familjen aty për t’i parë ose se në rastin më të zakonshëm një dasmë ose larg qoftë, një vaki.
Sot janë dy destinacione të Shqipërisë së re, Shqipërisë tjetër që kemi ndërtuar me shumë mund ndërkohë që nga bulevardi i Tiranës shumëçka mbulohet me retë artificiale të kanaleve sociale dhe të ekraneve”, tha Rama.


