Dede: Të jemi pozitivë, për fitore në Korçë. Ecuria e Vllaznisë? S’jam Zoti

schedule09:37 - 18 Dhjetor, 2020

schedule 09:37 - 18 Dhjetor, 2020

Nesër zhvillohet java e fundit e fazës së parë në Kategorinë Superiore. Tirana luan në Korçë përballë Skënderbeut vendas dhe do të tentojë triumfin e tretë radhazi në kampionat. Trajneri i bardhebluve, Nevil Dede foli rreth takimit të radhës në konferencën për shtypin, aty ku preku edhe disa tema të tjera.

Skënderbeu? Me rëndësi është ta vlerësojmë. Respektojmë kundërshtarin dhe historinë që ka, si dhe atë që bëjnë. Janë një ekip që po mundohen të bëjnë gjëra të mira. Shkojmë në një qytet që ka bërë histori, por shkojmë me objektiv maksimal. Uroj të shkojë gjithçka fair. Kam nostalgji për ata periudhë që kam punuar atje. Është garë dhe duam të fitojmë.

Po mendojmë vetëm për ndeshjen me Skënderbeun. Pa kaluar ajo ndeshje nuk mendojmë për të radhës. Normalisht është një periudhë me shume ndeshje. Rezultatet i japin besim ekipit. Me një klimë pozitive lojtarët japin më të mirën. Do mundohemi të jemi pozitivë. Ana psikologjike është e mirë, por duhet të mundohemi të shënojmë sa më shpejt edhe më shumë. Kemi elementë të rinj që duan qetësi dhe minuta.

Sasraku është lojtar i rëndësishëm për skuadrën. Ka ndihmuar ekipin, por duhet të nisë edhe të shënojë. Më pas do ketë tjetër rendiment. Edhe skuadrën e ndihmon. Sa i takon Muçit, ai po rritet nga ndeshja në ndeshje. Shifrat i kemi të mira në aspektin e mbajtjes së topit, apo gjuajtjeve në portë. Nuk është e nevojshme të shënojnë vetëm sulmuesit. Po shënon edhe Batha, edhe mbrojtja po bën mirë. Gjithashtu edhe portieri po bën ndërhyrjet e tij në momente të caktuara.

Vllaznia? Rivalë për titull janë disa. Di që kanë bërë pikë, vetëm kaq. Nuk më takon të bëj rolin e analistit. Nuk e kisha parashikuar këtë ecuri, por nuk jam Zoti dhe nuk di gjithçka. Humbja me Vllazninë peng? Kur humb në fund të vjen keq, por vetëm kaq. Më intereson ndeshja e radhës për momentin, si dhe skuadra ime”, përfundon Nevil Dede. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!