Bekim Balaj po paraqitet mirë javën e fundit në Austri, me fanellën e Sturm Graz. Në Shkodër ndërkohë ëndërrojnë një rikthim të sulmuesit te Vllaznia, në mënyrë që në fund të sezonit të fitojnë titullin kampion që mungon në qytetin verior prej vitit 2001.
Alban Xhaferi, sponsori i Vllaznisë, pas ndeshjes me Partizanin u pyet mbi zërat e transferimit të Balajt në Shkodër. “Janë diskutime të hapura, Balaj është shkodrani jonë, shpresoj të bëhet edhe lojtari ynë. Gjithmonë duhet parë edhe kontrata aktuale që ai ka”, tha ai.
Sigurisht, tani që jetojmë në epokën e internetit, informacioni ka shkuar edhe në Austri dhe drejtori sportiv i Sturm Graz, Andreas Schicker, ka folur për “Kronen Zeitung” dhe sqaron gjithçka.
“E kam lexuar atë që ka thënë (i referohet sponsorit të Vllaznisë, Alban Xhaferi) dhe pyeta menaxherin e Balajt për këtë. Gjithsesi nuk ka asgjë në këtë histori, janë vetëm fjalë”, shprehet Schicker, i cili në njëfarë mënyre i ka shuar zërat për kalimin e Balajt te Vllaznia. /abcnews.al