Gjykatësi i Gjykatës së Lartë “ngec” në Vetting, shkarkohet Admir Thanza

schedule10:14 - 17 Korrik, 2018

schedule 10:14 - 17 Korrik, 2018

Nuk ka kaluar dot sitën e Vettingut, anëtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Ai u shkarkua sot nga detyra, pasi nga hetimi i kryer ndaj tij rezulton se jo vetëm nuk justifikon pasurinë, por edhe ka fshehur një dënim nga drejtësia italiane për vjedhje të kryer në bashkëpunim.  

Ashtu siç pritej, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit largoi gjyqtarin Admir Thanza nga sistemi i drejtësisë. Thanza, i cili ishte pjesë e Gjykatës së Lartë, më herët ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe i Gjykatës Kushtetuese.

Thanza rezulton se është dënuar me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë nga Gjykata e Pizas në Itali në vitin 1999 për një vjedhje në supermarket. Detaji i pazakontë u bë publik gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar javën e kaluar për llogari të procesit të Vettingut.

Vendimi i fajësisë, në të cilin vuajtja e burgut ishte pezulluar për gjyqtarin, u bë i ditur nga ana e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Sipas KPK-së, gjyqtari Thanza kishte dijeni për këtë dënim të Gjykatës së Pizas, pasi kishte qenë në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së tij, por nuk e kishte deklaruar atë në formularin e dekriminalizimit.

Javën e kaluar, gjyqtari në seancën dëgjimore pranoi dënimin, por këmbënguli se nuk e kishte kryer veprën penale për të cilën ishte dënuar, por thjeshtë kishte marrë përsipër një krim të kryer nga një e afërme e tij. Sipas KPK-së, veç dënimit, Thanza nuk kishte deklaruar as një procedim penal të nisur ndaj tij për akuzën e “korrupsionit” nga Prokuroria e Shkodrës dhe të pushuar në Prokurorinë e Përgjithshme nga prokurori Kristaq Beluri në 26 Korrik 2016.

Thanza figuronte problematik edhe në pasurinë e tij. Sipas Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, gjyqtari ka fshehur pasurinë dhe ka bërë deklarim të rremë. I njëjtë ishte edhe rezultati i hetimit të thelluar të KPK që vlerësoi se ka mosjustifikim të shpenzimeve të kryera dhe nga analiza financiare gjatë gjithë karrierës në gjyqësor nga viti 1992 e në vijim Thanza del me bilanc negativ.

Po gjatë javës së kaluar, Prokuroria e Përgjithshme është vënë në lëvizje për rastin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur verifikimet ndaj gjyqtarit Admir Thanza për shkelje të ligjit dekriminalizimit. /abcnews.al