Mund të thuhet me plot gojën se patën fat.
Kampionët e trefishtë radhazi të Shqipërisë, futbollistët e Egnatias, vërtet fituan në fushën e Laçit në sfidën e javës së gjashtë të Superligës, por fare mirë mund të kishin humbur.
Ndoshta disi të ngarkuar nga ana psikologjike për shkak të afrimit të ndeshjes së parë në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës, rrogozhinasit ishin larg formës së tyre normale, ndërsa kurbinasit duhej të kishin shënuar, madje më shumë se një herë.
Vendasit krijuan raste, dhe goditën dy herë shtyllën, si dhe patën pretendime për penallti në pjesën e parë, kur rezultati ishte 0-0.
Rasti, kur e shikon nga disa kamera të këndeve të ndryshme, është I dyshimtë ndonëse lojtari vendas sikur bie në tokë me vonesë.
Po ashtu, u pretendua për një karton të dytë të verdhë për lojtarin e Egnatias, Adjesa, si dhe për kapitenin mik, Aleksi, veçse gjyqtari Maletaj nuk ndërhyri në asnjërin prej rasteve.
Dueli mes sulmit kurbinas dhe mbrojtjes së kampionëve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ashtu si edhe fati që mbeti në anën e të besuarve të trajnerit Nevil Dede.
E habitshme vërtet sesi ndodhi që Laçi nuk arriti të shënonte asnjë gol me aq mundësi sa pati.
Gjithsesi, ligji I futbollit goditi pasi miqtë fituan një penallti në momentin e tyre më të vështirë.
Gruda iu shmang pozicionit jashtë loje dhe portierit, dhe laçianët u detyruan ta ndalnin me ndërhyrje të gabuar në zonë.
Një dyshim mbetet edhe për një shtyrje sado të lehtë të Grudës ndaj portierit vendas, por sërish gjyqtari kryesor nuk mendoi se duhej goditje dënimi për Laçin.
Edhe gjuajtje e penalltisë ishte odise më vete, sepse ajo u përsërit ndonëse Lukili goditi saktë.
Duket se lojtarë miq kishin hyrë në zonë para kohë.
Gjuajtja e dytë u ndalua nga portieri vendas Guri, por Lukili ishte më pranë dhe u favorizua nga trajektorja e topit.
Më pas, Egnatia nuk pati nevojë për dhurata pasi në kundërsulm shënoi edhe golin e dytë, me autor afrikanin Diabate.
Një sukses tepër I rëndësishëm, tepër i vështirë dhe mes shumë dyshimeve e polemikave, por që i mban kampionët në vendin e dytë në Superligë, me 15 pikë, vetëm një pikë më pak sesa Teuta kryesuese.


