Derbi i parë i sezonit është i Tiranës. Bardheblutë e kryeqytetit triumfuan 3-1 ndaj Partizanit, duke zhytur më tej në krizë rivalët e përjetshëm. Kaq për rezultatin, ndërsa sfida e luajtur në “Air Albania” dhuroi gjithçka, duke nisur nga atmosfera në tribuna, golat, rastet dhe shtyllat.
Sigurisht, ka shumë për të folur për nivelin teknik dhe taktik. Por kjo i përket specialistëve, e sigurt është që derbi ishte i bukur për t’u parë.
Tirana kaloi e para në epërsi në minutën e shtatë, me goditjen e kalibruar të Xhixhës nga distanca.
Partizani reagoi shpejtë.
Pa fat Aliu, që vetëm shtylla I mohoi golin e barazimit në minutën e 15-të.
Gjithsesi, të kuqtë do të kthenin ekuliibrat në shifra në të 36-ën.
Skuka bëri gjithçka mirë në të djathtë, ndërsa në asistin e tij, Himallari nuk mund të gabonte.
Kaq për pjesën e parë, ndërsa pas pushimit, Tirana e nisi sërish në sulm, por edhe një herë rastin më të mirë e kishin rivalët.
Edhe një herë pa fat Aliu, pasi shtylla I mohoi një tjetër gol.
Barazimi qëndroi gjatë në fuqi, derisa në minutën e 79-të, Tirana do të kthente rrjedhën e sfidës me golin e dytë të shënuar nga Ilievski.
Nga ky moment në fushë janë vetëm bardheblutë, që vetëm pesë minuta nga fundi I kohës së rregullt do të jepte goditjen e KO dhe do të vuloste fitoren me golin e tretë të shënuar nga Kish me 11 metërsh.
Në fund e gjithë festa ishte për Tiranën, që merr derbin e parë sezonal, që historikisht ka sjellë kthesa pozitive. Kjo mbetet për t;u parë, por për momentin bardheblutë mund të shijojnë vendin e katërt në renditje. Krejt I ndryshëm diskutimi për Partizanin, që mbetet në vendin e parafundit të klasifikimit me vetëm katër pikë në gjashtë ndeshje.


