Ka momente kur policia nuk ka kohë të presë.
Një njeri është i armatosur. Mund të ketë marrë peng dikë, mund të kërcënojë se do të vrasë një tjetër, mund të jetë ngujuar dhe të qëllojë drejt policisë. Ose mund ta ketë kthyer armën drejt vetes.
Në një anë të skenës janë forcat speciale. Armët janë gati. Snajperët janë në pozicion. Perimetri është siguruar. Por, përpara se të jepet urdhri për ndërhyrje dikush duhet të flasë.
Një zë, një telefonatë, një megafon, një radio. Dhe pas atij zëri fshihet një profesion që pakkush e njeh. Negociatori i Policisë së Shtetit.
Ai nuk shkon për të bindur një njeri se ka gabuar. Shkon për ta bindur se ka ende një arsye për të mos e tërhequr këmbëzën.
Detyra e parë është të ulë tensionin. Pastaj të krijojë komunikimin. Më pas besimin. Dhe vetëm atëherë ndikimin. Sepse në një situatë pengmarrjeje, një fjalë e gabuar mund të kushtojë një jetë.
Në një situatë vetëvrasjeje, një lëvizje e gabuar mund të jetë e fundit. Dhe kur përballë ke një person të armatosur, negociatori duhet të mendojë jo vetëm se çfarë do të thotë, por edhe se çfarë po ndodh në kokën e njeriut që ka përballë.
Këtu, policia nuk përpiqet vetëm të kapë autorin. Përpiqet të shpëtojë pengun. Të mbrojë efektivët. Dhe, nëse është e mundur, të shpëtojë edhe jetën e atij që po kërcënon të tjerët.
Sepse objektivi nuk është gjithmonë arrestimi. Ndonjëherë objektivi është që askush të mos vdesë.
Më 24 korrik 2026, në Roskovec, negociatat zgjatën me orë. Një grua ishte mbajtur peng. Përballë saj ishte një person i armatosur, i cili më herët kishte vrarë dhe plagosur.
Negociatat arritën një rezultat, pengu u lirua. Por historia nuk përfundoi aty.
Negociatorët na treguan se pas asaj ngjarjeje kishin kaluar dy net pa gjumë. Jo vetëm për shkak të asaj që kishte ndodhur, por edhe sepse e përjetojnë si një përgjegjësi personale çdo rast që nuk përfundon ashtu siç e kanë shpresuar.
Dhe kjo, thonë ata, nuk ndodh vetëm pas një ngjarjeje të tillë. Sa herë që një operacion nuk shkon deri në fund sipas skenarit të tyre, pyetjet vazhdojnë edhe pasi gjithçka ka përfunduar: A mund të kishim bërë diçka tjetër? A mund të kishim thënë një fjalë tjetër? A mund ta kishim ndryshuar fundin?
Sepse për negociatorin, një operacion nuk përfundon domosdoshmërisht kur fiket radioja dhe largohet policia. Ndonjëherë, ai vazhdon edhe për netë të tëra, në mendjen e atij që ka qenë në anën tjetër të telefonit.
Sot hyjmë në botën e negociatorëve të Policisë së Shtetit. Në historitë e tyre. Në operacionet ku kanë pasur përballë persona të armatosur, pengmarrës, njerëz në krizë dhe persona që kanë kërcënuar të hidhen nga lartësitë.
Do të shohim se si funksionon një negociatë. Si përgatitet një operacion. Si bashkëpunojnë negociatorët me RENEA-n. Dhe si një automjet i posaçëm, i pajisur si një zyrë lëvizëse, bëhet qendra nga ku mund të zhvillohet komunikimi, të regjistrohen bisedat dhe të menaxhohet një krizë.
Sepse ndërsa armët presin, negociatori duhet të gjejë fjalën e duhur. Para se të flasin armët.
NJËSIA SPECIALE E NEGOCIMIT
Shërbimi i Negocimit lindi si një nevojë e re e strukturave të sigurisë në vitet 1960–1970, në një periudhë kur bota po përballej gjithnjë e më shpesh me kriza të rënda terroriste: Rrëmbime avionësh, vendosje eksplozivësh në ambiente të populluara, marrje pengjesh dhe okupime ambasadash.
Në shumë prej këtyre rasteve, autorët vendosnin kushte për lirimin e personave të arrestuar, kërkesa politike apo fetare, ndërsa kërcënimi për jetën e pengjeve e bënte ndërhyrjen policore një alternativë me rrezik ekstrem.
Qëllimi ishte i qartë: Të gjendej një mënyrë për ta zgjidhur krizën pa humbje jete, ose për të minimizuar sa më shumë pasojat. Kështu, negocimi nisi të marrë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në menaxhimin e situatave të krizës.
Një moment i rëndësishëm në zhvillimin e këtij shërbimi lidhet me Lojërat Olimpike të Mynihut, në vitin 1972, kur terroristë palestinezë morën peng 11 anëtarë të delegacionit izraelit. Ngjarja tronditi botën dhe solli një vëmendje të re ndaj mënyrës se si duhej menaxhuar një situatë pengmarrjeje.
Pas kësaj periudhe, nevoja për specialistë të trajnuar dhe ekipe të përhershme negociatorësh u bë gjithnjë e më e madhe. Edhe në Shtetet e Bashkuara, FBI nisi të zhvillonte më tej konceptin e negocimit modern dhe trajnimin e strukturave të specializuara për menaxhimin e krizave.
Në Shqipëri, shërbimi i negocimit mori formë pas viteve ’90, në një kohë kur vendi po përballej me ndryshime të mëdha shoqërore dhe me shfaqjen e formave të reja të kriminalitetit. Fenomeni i pengmarrjeve, personave të armatosur të ngujuar, kërcënimeve ndaj jetës dhe situatave të tjera të krizës kërkonte një mënyrë të re ndërhyrjeje. Hapi i parë u hodh në vitin 1997, kur pranë Repartit Special RENEA u emërua një specialist negociator.
Eksperienca e krijuar në vitet në vijim dhe zhvillimet e situatave kriminale sollën nevojën për një strukturë më të organizuar. Në bashkëpunim me MAPE-n, nën drejtimin dhe kujdesin e saj, në vitin 2001, me urdhër të Ministrit të Rendit Publik, u krijua Njësia e Negocimit. Që prej asaj kohe, njësia ka vijuar të funksionojë dhe është zhvilluar paralelisht me strukturat speciale të Policisë së Shtetit.
Që prej vitit 2015, Njësia Speciale e Negocimit drejtohet nga Andrea Kola, i cili ka një karrierë më shumë se 30-vjeçare si pjesë e Repartit Special RENEA. Në vitin 1995 Kola ka qenë instruktor i përgatitjes fizike në repartin RENEA, më pas komandant njësie dhe shef stërvitje për disa vite me radhë. Një operativ që ka shërbyer dhe ka rrezikuar edhe jetën si pjesë e Forcave Speciale, duke u plagosur gjatë një operacioni në Lazarat, në vitin 1998.
Aktualisht, Andrea Kola është shefi i 6 negociatorëve, që janë pjesë e kësaj Njësie Speciale. Sot, Njësia Speciale e Negocimit ndodhet pranë Njësisë Speciale RENEA dhe bashkëpunon ngushtë me forcat taktike në operacionet me rrezikshmëri të lartë. Ajo kryen shërbime në të gjithë territorin e vendit dhe aktivizohet në raste pengmarrjeje, personash të armatosur, kërcënimesh serioze për jetën, por edhe në situata kur persona të ndryshëm tentojnë të vetëhidhen nga lartësitë, pallatet, vinçat apo struktura të tjera.
Kastrioti, negociator
Policia e Shtetit në fakt e ka pasur si qëllim këtë, sigurisht në të gjithë modernizimin dhe trajnimin e Policisë së Shtetit, ka pasur edhe Njësinë e Negocimit. Njësia e Negocimit është një Njësi e re në forcat speciale. Është krijuar rreth vitit 2001 dhe ndër trajnimet e para ka qenë bashkëpunimi me amerikanët. Kanë shkuar disa oficerë të Policisë, që aktualisht janë edhe sot këtu në Njësinë tonë, me një përvojë gati 25-30-vjeçare, janë trajnuar në Amerikë për gati një muaj, dy prej tyre janë pjesë e Njësisë sot. Pas trajnimit në Amerikë ne jemi trajnuar me gjermanët, çdo vit për gati 6-7 vite rresht. Vinin trajnues gjermanë me një bazë materiale shumë të mirë. Njëkohësisht edhe holandezë. Ne Greqi kemi bashkëpunuar dhe trajnuar. Ata kishin një eksperiencë shumë të mirë edhe ne kemi shkëmbyer ato eksperiencat tona. Ne kemi një bazë materiale shumë të mirë tani. Kjo falë edhe përkushtimit që ka Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Na ka ndihmuar shumë. Kemi të gjitha pajisjet. Kemi 2-3 mjete motorike, kemi të gjitha mjetet e incizimit, sepse ne përdorim edhe këto mjete gjatë negocimit, pasi mund të përdoren si bazë edhe në Prokurori edhe në Gjykatë. Lap-top, telefona, me kamera, çdo gjë. Kemi të gjitha pajisjet, sigurisht edhe ato të ruajtjes së jetës tonë. Jemi të kompletuar në këtë aspekt. Gjithashtu ne bëjmë edhe programet tona me Njësinë Speciale RENEA. 3-4 herë në vit ne bëjmë stërvitje të madhe, duke simuluar pengmarrjen, me autobus, me tren apo me avion. Këtu angazhohen të gjitha strukturat, jo vetëm të repartit por të gjitha forcat e Sigurisë Kombëtare. Trajnohemi dhe bëjmë stërvitje duke imagjinuar sikur është një rast real.
NEGOCIMI, HAPI I PARË
Sipas rregullave të funksionimit të strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit, miratuar me Urdhrin nr. 243, datë 16.02.2025, aktivizimi i Njësisë Speciale të Negocimit konsiderohet veprimi i parë në procedurat standarde për zgjidhjen e krizave që përfshijnë persona të armatosur, pengmarrës dhe lirimin e pengjeve.
Në një operacion, negociatorët veprojnë nën drejtimin e drejtuesit të operacionit dhe në bashkëpunim me strukturat taktike. Komunikimi mund të realizohet në forma të ndryshme: Ballë për ballë, përmes megafonit, radios, telefonit fiks apo celular. Por objektivi është gjithmonë i njëjtë: Zgjidhja paqësore e krizës, kur kjo është e mundur.
Negocimi synon të krijojë kushtet për dorëzimin e personave të armatosur, lirimin e pengjeve, furnizimin me ushqim ose medikamente dhe dhënien e ndihmës mjekësore për personat e dëmtuar. Në të njëjtën kohë, komunikimi i jep kohë forcave taktike për të përgatitur planin e ndërhyrjes, nëse ndërhyrja bëhet e domosdoshme.
Kastrioti, negociator
Aktivizimi në shërbim i Njësisë Speciale të Negocimit, vlerësohet si veprimi i parë në procedurat standarde, për kapjen e autorëve të pengjeve dhe personave me rrezikshmëri të madhe shoqërore. Dhe gjithmonë është negocimi me këtë palë që u jep favor edhe forcave taktike speciale për të ndërhyrë apo për t’u dhënë kohë atyre, për zgjidhjen në mënyrën e tyre të krizës. Por ne gjithmonë i japim përparësi zgjidhjes së kësaj krize në mënyrë paqësore, pa përdorim force, pa dëmtuar forcat e policisë, pengjet, por sigurisht edhe vetë autorin. Gjithmonë drejtuesi i operacionit është ai që i jep drejtim këtij shërbimi. Me të marrë urdhrin, shefi i Njësisë Speciale të Negocimit, organizon punën duke siguruar bazën materiale, bazën teknike, njëkohësisht edhe detyrat e veçanta për secilin pjesëtar. Sepse ne gjithmonë veprojmë në grup dhe ky grup vepron në mënyrë të tillë që zinxhiri i negocimit, i komandimit, të eci shumë mirë dhe njëkohësisht edhe të dokumentohet për provë materiale më mbrapa, në Prokurori apo në Gjykatë. Gjëja më e rëndësishme, siç thashë edhe pak më përpara, është ruajtja e pengjeve, mos të dëmtohen, sigurimi gjithmonë i forcave tona dhe dhënia e mundësisë, sepse në gjithmonë bashkëveprojmë me Njësinë Speciale RENEA, që t’u japim atyre mundësinë për nga ana taktike dhe kohë për të ndërhyrë. Por gjithmonë përparësia është ruajtja e forcave tona, ruajtja e pengjeve dhe zgjidhja e kësaj situate në mënyrë paqësore, në mënyrë që të mos ketë dëme.
Pra, negociatori dhe forcat speciale nuk janë dy struktura që veprojnë veçmas. Njëri kërkon të fitojë kohë dhe të ulë tensionin. Tjetri përgatitet për çdo skenar. Dhe të dy punojnë për të njëjtin objektiv: Të shpëtohen jetët dhe situata të zgjidhet me sa më pak pasoja.
RASTET QË LANË SHENJË
Kastrioti, negociator
Ne kemi pasur disa raste, jo pengmarrje, por kanë qenë persona me rrezikshmëri shumë të madhe shoqërore. Për shembull marrim rastin e Selenicës në Vlorë. Ai person, që vrau disa familjarë, 8 persona dhe ishte vërtetë me rrezikshmëri shumë të madhe shoqërore, hymë në negocim me anë të telefonit, për disa faza, disa orë mund të them, derisa ai u bind dhe u dorëzua. Ky ishte një rast i mirë. Rasti në Gjirokastër, kur u vra një efektiv i joni, Ibrahim Basha. Edhe ata ishin persona të rrezikshëm dhe bëmë një negocim të vazhdueshëm. Kemi pasur disa raste. Kjo është një gjë pozitive sepse ne koordinojmë shumë mirë me forcat e Njësisë Speciale RENEA. Është koordinim edhe nga ana taktike, sepse u japim mundësi atyre që të afrohen, i japim edhe informacion. Sigurisht që edhe ata na japin ne. Kemi një koordinim të vazhdueshëm me ta dhe kjo është ajo që na nxjerr edhe të suksesshëm.
Një familje u shua pasditen e 10 gushtit të vitit 2018 në Selenicë të Vlorës. Ndërsa një varrezë e re u hap fare pranë banesave të fisit Zykaj, 8 anëtarë të së cilës nuk jetojnë më. Amaneti i Demir Zykajt, vëllait të gjyshit të autorit u çua në vend. Sa ishte gjallë ai u kishte kërkuar të bijve që ta varrosnin në tokat e tij, jo në varrezat e fshatit. Por Demiri nuk e kishte parashikuar një fund tragjik të tillë për djemtë, gratë e tyre, madje edhe nipin e mbesën. E kush mund ta kishte menduar. Aq më tepër që vdekje do u vinte nga nipi i vëllait të tij. Nga një 24-vjeçar që e kishte rritur vetë në shtëpinë pranë e që pasditen e 10 gushtit, pa iu dridhur dora vrau të gjithë familjen. Madje nuk i kurseu plumbat as për kushëririn e vet 8-vjeçar që e gjeti në tavolinën e bukës. As për kushërirën 15-vjeçe, që kishte mbaruar klasën e nëntë me rezultate të shkëlqyera e që u varros bashkë më të vëllain, nënën e babanë. Masakra e Selenicës ndodhi rreth orës 18:00 në fshatin Resulaj të Selenicës, në Vlorë pas sherrit për pulat mes dy familjeve të të njëjtit fis dhe kushërinj me njëri-tjetrin. Një nga gratë e familjes, teksa ndodheshin në një drekë familjare e ka akuzuar se i kishte vjedhur pulat dhe kaq ka mjaftuar që i riu të ngrihet, të marrë armën. Ai qëlloi mbi tetë persona duke lënë të vrarë: Demir Zykaj 76 vjeç (kryefamiljar), bashkëshorten e tij Perri Zykaj, 76 vjeçe, dy djemtë Besim e Azem Zykaj, 45 e 49 vjeç, Vasilika Zykaj 40 vjeç, bashkëshortja e Besimit, Afërdita Zykaj, 47 vjeçe, bashkëshortja e Azemit, si dhe dy fëmijët e Besimit, Sara, 15 vjeçe e Ledioni 8 vjeç.
Arratia e autorit të masakrës mori fund në të gdhirë të datës 11 gusht. Ai ishte fshehur në disa kallamishte, disa qindra metra larg shtëpisë së tij. Mbi 500 punonjës policie, FNSH, DELTA, RENEA dhe efektivë të Policisë së Vlorës, morën pjesë në operacionin për arrestimin e tij.
Por kjo ngjarje është një nga rastet më të veçanta të shërbimit të negocimit. Në këtë rast, policia po përballej me Ritvan Zykajn, autorin e vrasjes së tetë personave. Rrezikshmëria ishte ekstreme.
Pas vendosjes së komunikimit telefonik, negociatorët zhvilluan bisedime për disa orë me autorin. Qëllimi ishte të krijohej besimi se ai nuk do të dëmtohej nëse dorëzohej. Bisedat telefonike me të i zhvilloi vetë shefi i Njësisë Speciale të Negocimit, Andrea Kola, i cili pas gati 60 thirrjeve në celularin e tij që dilte vazhdimisht i fikur, në një moment zilja ra dhe Ritvan Zykaj u përgjigj. Biseda me të ka zgjatur më shumë se 3 orë. Frika më e madhe që ai kishte, nisur nga krimi i rëndë që kishte kryer, ishte se mos e vrisnin. Ai kërkonte garanci nga Andrea Kola, i cili i premtoi se nuk do t’i ndodhte asgjë. Në një moment ai u bind dhe nisi të afrohej drejt negociatorëve. Biseda me të fillimisht ishte në distancë. Kërkoi që të ndizeshin fenelinat, pasi ishte errësirë dhe nuk arrinte t’i shquante dot. Kur u përball me Andrean, me të cilin kishte biseduar në telefon dhe kishte krijuar besim, ai u bind për gjithçka. Hodhi telefonin që kishte në dorë, hapi duart dhe u dorëzua. Më pas tregoi edhe se ku e kishte hedhur armën e krimit.
Gjatë afrimit, negociatori u mbështet nga forcat speciale RENEA. Një person me rrezikshmëri të jashtëzakonshme u arrestua pa një përplasje të armatosur.
Katër vite më vonë, një tjetër situatë tregoi edhe kufijtë e negocimit. Në 24 shtator 2020, në Elbasan, Njësia Speciale e Negocimit u angazhua në operacionin për arrestimin e Lefter Zhidrus. Ai kishte ushtruar dhunë ndaj familjarëve, kishte qëlluar me armë ndaj automjeteve në zonën përreth banesës dhe kishte tentuar të qëllonte punonjësit e policisë.
Negocimi nisi përmes telefonit. Por personi ishte agresiv dhe i irrituar. Gjatë komunikimit, negociatorët u përpoqën të ulnin tensionin dhe ta bindnin të dorëzohej. Në koordinim me drejtuesin e operacionit u ndërmorën edhe masa taktike për të krijuar kushtet e duhura për dorëzimin.
Por situata ndryshoi. Nga banesa u qëllua me breshëri automatiku në drejtim të policisë. Në orën 18:15, pasi negociatat nuk sollën dorëzimin dhe rreziku për forcat e policisë u bë i drejtpërdrejtë, RENEA ndërhyri. Personi u neutralizua. Kontrolli i mëvonshëm i banesës zbuloi një tjetër rrezik serioz: Shtëpia ishte e minuar.
Ky rast tregon se negocimi nuk është gjithmonë zëvendësim i ndërhyrjes taktike. Në disa situata, detyra e negociatorit është të provojë çdo mundësi për një zgjidhje paqësore, ndërsa forcat speciale përgatiten për skenarin më të keq.
Një tjetër rast është ai i 24 nëntorit 2025, në fshatin Orosh të Fushë-Arrëzit. Dy persona ishin mbyllur në një banesë dhe kërcënonin se do të qëllonin ndaj policisë. Gjatë izolimit të banesës, nga dritarja e katit të dytë u qëllua me armë automatike.
Situata ishte tejet e tensionuar. Me mbërritjen e Njësisë Speciale të Negocimit, komunikimi nisi përmes megafonit, ballë për ballë, ndërsa në terren qëndronin forcat taktike të RENEA-s. Përgjigjja e personave brenda banesës ishte e prerë: Nuk dorëzohemi.
Negociatorët vazhduan komunikimin.
Kastrioti, negociator
Edhe ngjarja e Fushë – Arrezit. Ishin dy persona që vërtetë ishin të rrezikshëm. Me negocim, në bashkëpunim edhe me Njësinë RENEA ne ia dolëm me sukses. Ishin vërtetë të rrezikshëm, me prirje radikale. Bashkëpunuam edhe me familjarët. Edhe rasti i Lazaratit ka qenë shumë problem. Ka disa raste, që vërtetë kanë qenë persona me rrezikshmëri shumë të madhe shoqërore, por ne ia kemi dalë.
Mund të veçoj rastin në Rrashbull të Durrësit, kemi disa raste të ngjashme në Durrës, ku një person kishte marrë nënën dhe e kërcënonte me thikë dhe vërtetë ishte agresiv, ishte një person depresiv. Ne arritëm që ta çlirojmë nënën, njëkohësisht pak më mbrapa ai na vështirësoi në dorëzim, ne mbështetëm forcat taktike, të cilat ndërhynë, pa e lënduar autorin dhe u bë arrestimi i tij. Prapë në Durrës, një rast ku një person mbante fëmijët e vet, kërcënonte edhe fëmijët dhe gjuante me automatik. Në bashkëpunim me Policinë e Durrësit që kishte avancuar goxha në negocim, se ne bashkëpunojmë me ta, u bë dorëzimi i tij si rezultat i negocimit. Shumë i vështirë ishte edhe ky si person. Shumë raste kur persona të ndryshëm për shkak të problemeve familjare kërkojnë të hidhen nga lartësitë, si në Kuçovë, në Durrës, në Tiranë. Kemi disa raste të tilla që ne i kemi zgjidhur me negocim.
Por në një situatë të tillë, jo gjithmonë mjafton vetëm komunikimi i drejtpërdrejtë me personin e armatosur. Në negocim mund të përdoret edhe një tjetër urë: Familja.
RASTET QË NUK NJOHIN NJË SKENAR
Nuk ka vetëm pengmarrës. Negociatorët thirren kur dikush kërcënon të hidhet nga lartësia. Kur një person është i armatosur dhe kërcënon familjarët. Kur dikush mbyllet në një banesë. Kur një person mban fëmijët e tij dhe qëllon me armë. Kur një konflikt familjar kthehet në një situatë kërcënuese për jetën.
Ekziston një rregull që mund të duket i çuditshëm. Negociatori nuk thotë menjëherë: “Jo.” Sepse përballë tij mund të jetë një person që mendon se nuk ka më rrugëdalje. Dhe nëse ai beson se nuk ka më asnjë zgjidhje atëherë rreziku rritet.
Kastrioti, negociator
Kemi pasur raste kërcënimi për shembull, me hedhje nga lartësitë, për probleme familjare apo çështje tokash dhe në disa raste i kemi zgjidhur në mënyrë të suksesshme.
Në këto momente, përballë tyre nuk është domosdoshmërisht një autor krimi, por një person në krizë, të cilit duhet t’i rikthehet besimi se ende ekziston një rrugëdalje. Dhe pikërisht këtu nis një tjetër betejë e negociatorëve: Ta bindin të flasë, ta dëgjojnë dhe, mbi të gjitha, ta bindin se ka ende një zgjidhje.
Si kjo ngjarje në Manzë të Durrësit, kur një person kishte hipur në tarracën e një magazinë në orën 07:00 të mëngjesit, duke kërcënuar me vetëvrasje dhe falë negociatave të vazhdueshme u bind që të zbriste në mbrëmje. Shefi i Njësisë së Negociatirëve, Andrea Kola, arriti ta bindë dhe e shoqëroi vetë më pas deri tek ambulanca që priste poshtë.
Apo ky rast tjetër, ku një grua kërcënonte se do të hidhej nga lartësia mbi një pus nafte në Kuçovë.
Ndërsa në këtë rast, ishte një tjetër situatë e rrezikshme, ku një person kishte hipur në shtyllën e ndriçimit të stadiumit të Durrësit, gjatë kohës që luhej një ndeshje e kombëtares së U17. Ai kërcënonte me vetëvrasje dhe u bind që të zbresë pas 10 orësh negocim.
Kastrioti, negociator
Ata gjithmonë në momentet e para janë të tensionuar dhe ne kemi ato parimet tona të negocimit, që nuk themi asnjëherë jo. Sepse ne mendojmë që gjithmonë ka një dritë në fund të tunelit. Duhet patjetër, gjatë negocimit gjithmonë ka një zgjidhje. Dhe këtë zgjidhje ne mundohemi ta gjejmë, duke marrë informacion edhe për profilin e tij si person. Mbi lidhjet e tij shoqërore, familjare, aktivitetin e tij kriminal, nëse ka qenë kriminel. Sepse në rastet e kërcënimeve për shembull, ai mund të mos jetë kriminel, mund të jetë njeri shumë i rregullt, por depresiv, me probleme ekonomike, punësimi, familjare, probleme nga më të ndryshmet dhe janë të tensionuar. Ne përpiqemi gjithmonë që t’ia mbushim mendjen, që vërtetë ka një zgjidhje për çdo problem. Dhe në fakt ka.
NGA NJË TELEFONATË TE NJË OPERACION
Janë disa ngjarje që tregojnë se negocimi nuk është thjesht një telefonatë. Pas çdo komunikimi ka informacion. Ka analizë të personit. Ka koordinim me drejtuesin e operacionit. Ka bashkëpunim me forcat taktike. Dhe mbi të gjitha, ka një parim: Të fitohet kohë pa humbur kontrollin e situatës.
Sepse çdo minutë e fituar nga negociatori mund t’i japë RENEA-s kohën e nevojshme për t’u pozicionuar. Çdo informacion i marrë gjatë bisedës mund të ndryshojë planin e operacionit. Dhe çdo hap drejt besimit mund ta çojë një person të armatosur drejt dorëzimit.
Kastrioti, negociator
Ne hyjmë në komunikim ose me telefon, me radio, ose me megafon që e bëjmë ballë për ballë. Dhe rasti me megafon është edhe më i rrezikshëm dhe gjithmonë jemi të mbështetur nga forcat e Njësisë Speciale RENEA. Ne gjithmonë koordinojmë me ta. Shefi i njësisë është gjithmonë pranë drejtuesit të operacionit. Mund të jetë komandanti i RENEA-s, mund të jetë drejtori i Qarkut, mund të jetë zv.drejtori i Përgjithshëm, varet se kush është sipas situatave. Bëhet një plan negocimi dhe ky plani i negocimit koordinon me planin që ka drejtuesi i operacionit. Ky plan bëhet edhe në varësi të personit që ka marrë pengun, apo të personit që është i rrezikshëm në rastin konkret.
Në fund, suksesi i negociatorit nuk matet gjithmonë me arrestimin. Ndonjëherë matet me një peng të liruar. Me një armë të ulur. Me një person që del nga një banesë me duart lart. Ose me një situatë ku askush nuk humb jetën.
Sepse në botën e negociatorëve, objektivi i parë nuk është të fitohet përballja. Është të shmanget përballja. Të gjendet një rrugëdalje. Dhe, përpara se të flasin armët, të provohet edhe një herë fuqia e fjalës.
ÇFARË ËSHTË NJË NEGOCIATOR
Kastrioti, negociator
Është parim, negociatori negocion, psikologu dëgjon dhe shënon dhe drejtuesi i operacionit merr informacion, grumbullon dhe merr vendime. Tek Njësia Speciale RENEA është edhe psikologu dhe ne bashkëpunojmë shumë sepse ka shumë rëndësi dhe këtë e bënë edhe shefi i Njësisë, për profilin psikologjik të autorit, pengmarrësi ose kërcënuesi.
Negociatori nuk është i vetëm. Pas tij është një strukturë. Një drejtues operacioni, një ekip negociatorësh, psikologë, oficerë informacioni dhe në terren, forcat taktike. Një krizë mund të duket si një përballje mes policisë dhe një personi. Por në të vërtetë është një operacion ku çdo informacion mund të ndryshojë mënyrën se si veprohet.
Kastrioti, negociator
Njësia e Negocimit është pjesë e Forcave të Sigurisë Kombëtare dhe gjithmonë ne dalim në shërbim me urdhrin e tyre. Ne aktivizohemi gjithmonë me shërbime për kapjen e elementëve me rrezikshmëri të madhe shoqërore, si pengmarrës, persona në kërkim që kanë kryer vepra të rënda penale, në raste kërcënimi për jetën, persona që kanë konflikte të ndryshme apo probleme dhe tentojnë të bëjnë vetëvrasje, ngjiten nëpër lartësira, ose mbajnë ndonjë armë, ndonjë familjar të tyre dhe kërcënojnë. Raste kërcënimi kryesisht kemi pasur shumë. Ne gjithmonë synojmë që të realizojmë zgjidhjen e një krize pa përdorim force dhe kjo është shumë e rëndësishme. Duke përgatitur kushte besueshmërie për dorëzimin e personave të armatosur, pengmarrësve, lirimin e pengjeve dhe gjithmonë pa humbje jete. Ne synojmë që të ruajmë forcat tona, të policisë, të ruajmë pengjet dhe njëkohësisht edhe pengmarrësit. Ne gjithmonë veprojmë edhe në mbështetje të forcave RENEA. Kur ata futen në anën taktike ne i mbështesim ata dhe sigurisht japim edhe informacion.
Këto operacione nuk shfaqen gjithmonë në publik në të gjithë kompleksitetin e tyre. Shpesh publiku sheh vetëm fundin: një person që del nga një ndërtesë me duart lart. Një peng që lirohet. Një armë që dorëzohet. Por pas atij momenti mund të ketë orë të tëra bisedash. Pyetje të përsëritura. Heshtje. Tensione. Tërheqje. Rikthim të besimit. Dhe një përpjekje të vazhdueshme për të bindur një person që ende ka mundësi të zgjedhë.
Kastrioti, negociator
Gjatë negocimit, për shembull në një rast pengmarrjeje, mund të zgjasë shumë në kohë. Ne synojmë që të nxjerrim pengjet, të shikojmë edhe nëse atje ka të plagosur, t’i nxjerrim jashtë dhe ne bëjmë një negocim të vazhdueshëm për nxjerrjen e pengjeve dhe njëkohësisht marrim edhe informacion për të nxjerrë edhe liderin e pengmarrësve. Ata gjithmonë, nëse bëjnë një grabitje, për shembull në një bankë, ata mund të kenë një organizim shumë të mirë dhe kanë edhe ata një lider. Ne shikojmë armët që ata përdorin, liderin kush është. Gjatë negocimit mund të ndodhë që të jetë edhe një i plagosur dhe ne mund ta bindim që të dalë ai i plagosur, në këmbim të një ushqimi për shembull, ose të cigareve. Ky është një negocim i vazhdueshëm dhe forcat taktike tërheqin të plagosurin ose çojnë ushqimin dhe ne gjatë kësaj kohe negociojmë. Njëkohësisht ne gjithmonë ulim tensionin, si fazë të parë, sepse gjendja është e tensionuar dhe ne përpiqemi që ta ulim sa më shumë tensionin midis pengmarrësve dhe pengjeve. Sigurisht edhe ata janë të tensionuar edhe ndaj forcave të policisë dhe ne luajmë një rol dominues në uljen e tensionit dhe me t’u futur në komunikim pastaj përdorim ato fazat tona të komunikimit.
Një negociatë nuk nis me: “Dorëzohu!” Nis me: “Më dëgjo…”
Sepse personi përballë duhet së pari të pranojë komunikimin. Pastaj vjen besimi. Dhe vetëm kur krijohet një marrëdhënie, negociatori mund të fillojë të ndikojë mbi vendimet e tij. Në dukje është thjesht një bisedë. Në të vërtetë është një garë me kohën, emocionet dhe frikën.
Kastrioti, negociator
Qëllimi jonë është që të ulim tensioni, sepse ata që bëjnë një veprimtari të tillë kriminale, janë shumë të tensionuar dhe bëhen të rrezikshëm për pengjet dhe ne gjithmonë synojmë që të ulim tensionin, të krijojmë një marrëdhënie, të hyjmë në komunikim dhe pastaj të krijojmë ndikim tek ta për të ndërhyrë ashtu si ne duam.
“MAKINA QË FLET”
Kjo nuk është thjesht një makinë policie. Është një zyrë. Por një zyrë që mund të shkojë aty ku ndodh ngjarja. Mjeti është marrë në vitin 2022 si dhuratë nga qeveria gjermane dhe është pajisur për komunikim, regjistrim dhe menaxhim të negociatave.
Specialisti që shpjegon
Kjo është një makinë zyrë, dhuratë nga qeveria gjermane, e marrë në vitin 2022. Me të njoftuar për shërbim, shefi i Njësisë Speciale cakton numrin e punonjësve dhe ne lidhemi me Policinë Kriminale, marrim informacion për pengmarrësin ose kërcënuesin. Pasi i marrim numrin e telefonit vendosim lidhjen telefonike. Ne kemi dy telefona që bëjmë bisedën, regjistrimin e saj dhe hedhjen e saj në lap-top, që ta dëgjojmë më vonë ose ta çojmë si provë në Gjykatë. Në pjesën e përparme të makinës është një megafon, që mund të flasim edhe kur mbërrijmë në vendin e ngjarjes, edhe gjatë rrugës që ka sistem lajmërimi. Mënyrë tjetër komunikimi kemi edhe radion. I japim një radio pengmarrësit, që është radio me një kanal dhe flasim e bisedojmë atje. Pasi bëjmë bisedën me pengmarrësin, ne këtë bisedë e hedhim në lap-top që ta dëgjojmë për mësime të tjera, Hedhim gjithashtu edhe video nëpërmjet celularit dhe këto na shërbejnë ose për provë në Gjykatë, ose për mësim treguese të tjera.
Këtu regjistrohet biseda. Këtu mund të dëgjohet përsëri. Këtu informacioni i marrë gjatë krizës mund të dokumentohet. Sepse një negociatë nuk mbaron kur mbyllet telefoni. Ajo duhet të mbetet e dokumentuar. Edhe për hetimin, edhe për Gjykatën, edhe për trajnimin e negociatorëve të tjerë.
Kastrioti, negociator
Ne si fazë të parë kemi hyrjen në komunikim. Qoftë me telefon, qoftë me megafon, qoftë me radio. Me të hyrë në komunikim ne krijojmë një marrëdhënie me të. Pasi krijojmë një marrëdhënie, bëjmë atë që të krijojmë empatinë, një lloj besimi dhe pasi kalon edhe kjo fazë është faza tjetër, ajo e ndikimit. Dhe pasi ndikojmë dhe ai e ka rritur besueshmërinë, mirëpo këto faza janë pak të gjata…
Pra në komunikim ne kemi disa teknika dhe një ndër to është ballë përballë. Gjithmonë të mbështetur, ne jemi 100 për qind të siguruar nga forcat speciale RENEA. Të gjitha këto metoda ne i aplikojmë sipas rastit. Edhe kur janë në lëvizje, në tren apo diku tjetër, ne kemi të gjitha mjetet, një ndër ta është edhe ky ku jemi tani bashkë që i ndjekim dhe komunikojmë.
PENGMARRJA E ROSKOVECIT
Një ditë që për një familje në Roskovec do të niste me një debat, përfundoi me tre të vdekur, një pengmarrje dhe një operacion të jashtëzakonshëm policor.
Brenda pak orësh, një 35-vjeçar, Refit Buzi, dyshohet se qëlloi me armë gjahu prindërit e ish-të dashurës së tij.
Babai i saj humbi jetën. Nëna u plagos rëndë për të ndërruar jetë një ditë më pas në spital. Por tragjedia nuk përfundoi këtu.
Në kushtet e një situate të rënduar, 35-vjeçari mori me vete ish-të dashurën dhe u largua me automjet. Për policinë, çdo minutë tashmë kishte rëndësi. Duhej lokalizuar. Duhej shpëtuar vajza. Dhe mbi të gjitha duhej parandaluar një viktimë tjetër.
Për shkak të rrezikshmërisë së situatës, në operacion u përfshi njësia speciale RENEA. Por përballë tyre nuk ndodhej thjesht një person i armatosur që refuzonte të dorëzohej. Përballë tyre ishte një njeri që, sipas negociatorëve, për gati pesë orë mbajti armën e gjahut të mbështetur në qafë. Gati për të shkrepur në çdo moment.
Një fjalë e gabuar mund të ndryshonte gjithçka. Një lëvizje e gabuar mund të kishte pasoja fatale. Dhe ndërsa forcat speciale afroheshin, negociatorët nisën atë që për publikun shpesh mbetet e padukshme.
Një betejë pa të shtëna. Një betejë me fjalë. Sepse detyra e tyre nuk është të qëllojnë. Detyra e tyre është të flasin, të fitojnë kohë, të ulin tensionin. Dhe nëse është e mundur të shpëtojnë jetën e personit që kanë përballë.
Kastrioti, negociator
Në rastin e fundit, situata ka qenë e tillë atje, që Policia lokale kishte punuar shumë mirë, sidomos në zgjidhjen e momentit të parë, kur ata e kishin ndjekur, e kishin izoluar dhe kishin filluar negocimin për lirimin e vajzës. Kishin arritur të komunikonim me të, sepse ne këtë e çmojmë shumë, se ne gjatë lëvizjes, gjatë kohës që ne shkojmë në një qark, kemi shumë marrëdhënie të mira me policinë lokale, marrim informacion mbi personalitetin e autorit, mbi aktivitetin e tij kriminal apo shoqëror, hyjmë në marrëdhënie me ta dhe na japin shumë informacion dhe shikojmë se deri ku ata kanë arritur për negocim. Pastaj kur hyjmë ne në negocim i themi se kush jemi dhe se çfarë bëjmë. Në këtë rast ata kishin avancuar shumë mirë dhe gjëja më kryesore ishte që ishte liruar pengu. Më pas kur shkuam ne hymë direkt në negocim dhe situata po ecte edhe mirë. Kishte momentet e veta. Një herë ngrihej, një herë ulej. Një herë thoshte “nuk kam ç’e dua më jeten..”, ato që ata i thonë shpesh. Ndoshta do duhet më shumë lehtësi përmes mediave, ndoshta ne duhet të bashkëpunojmë më shumë për raste të tilla, për ta izoluar, sidomos telefonatat e tij, më shumë me anë të kompanive celulare. Sepse ne po flisnim ballë përballë, edhe nga afër. Nuk duhej që ai të merrte informacione nga familjarë apo nga shoqëria e vet, sepse të tjerët i interpretojnë gjërat ashtu si atyre u intereson. Ose media mund ta japë, por mund të mos ketë edhe saktësi. Por po të ndërpritet ajo dhe të merret vetëm me ne, ndoshta do të ketë edhe më shumë sukses. E megjithatë ai kishte ato luhatjet e veta. Por problemet që kishte kaluar dhe personaliteti i tij, ishte pak e vështirë. Ai nuk kishte shumë besim më, tek vetja e vet, tek familja, te e ardhmja e tij dhe po tregohej shumë pesimist. Dhe gjatë gjithë kohës ai e mbante armën gati për të… Megjithëse ne punuam shumë për ta bindur dhe ai kishte momente shumë të mira që ta linte, por në një moment ai e tërhoqi këmbëzën. Sepse gjatë gjithë kohës e mbante dorën në këmbëzën e armës. Kështu që ndodhin edhe gjëra të tilla. Ne përpiqemi gjithmonë që të bëjmë më të mirën. Dhe siç ju thashë ne gjithmonë duam që të mos dëmtohet, pengu jo e jo, forcat e policisë patjetër, sepse ne këtë kërkojmë të kemi në avantazh, forcat e policisë qofshin ato lokale apo ato speciale, apo të FNSH, pastaj edhe vetë autorët.
Por sa mund të bëjë një negociator? A mund të bindë çdo njeri? A ka një pikë ku psikologjia, fjala, familja dhe koha nuk mjaftojnë?
Roskoveci tregoi pikërisht këtë. Për orë të tëra u fol. U krijua komunikimi, pengu u lirua, por personi që mbante armën nuk pranoi të dorëzohej. Dhe në fund, negociatorët nuk mundën ta bindnin. Kjo është pjesa e padukshme e këtij profesioni. Negociatori nuk kontrollon vendimin e personit përballë.
Ai mund të ndikojë, mund të fitojë kohë, mund të shpëtojë një jetë, por nuk mund ta garantojë fundin.
Në fund të një operacioni, ajo që mbetet në kamera janë armët. Forcat speciale, makina policie, sirena, një person i arrestuar, ose, në rastin më të keq, një trup i pajetë.
Por shumë rrallë shihet ajo që ka ndodhur përpara gjithë kësaj.
Orët e bisedës, heshtjet, pyetjet. Përpjekjet për të kuptuar se çfarë po ndodh në mendjen e një njeriu që mund të jetë vetëm pak sekonda larg një vendimi fatal.
Negociatori punon pikërisht aty. Në atë hapësirë mes kërcënimit dhe veprimit. Mes një njeriu që ka marrë armën dhe policit që duhet ta ndalë. Mes dëshirës për të ndërhyrë menjëherë dhe nevojës për të pritur.
Sepse ndonjëherë koha është armiku. Por ndonjëherë koha është edhe shpëtimi.
Në Roskovec, negociatat nuk mundën ta shpëtonin autorin. Por shpëtuan pengun.
Në Orosh, orët e komunikimit dhe ndërhyrja e familjarëve ndihmuan që dy persona të armatosur të dorëzoheshin pa një përplasje me viktima. Dhe këto dy histori tregojnë dy anët e të njëjtit profesion.
Negociatori nuk premton gjithmonë një fund të lumtur. Ai premton diçka tjetër: Se përpara se të përdoret forca, do të provohet fjala. Se përpara se të tërhiqet këmbëza, do të kërkohet një mundësi tjetër. Se përpara se një njeri të humbasë jetën, dikush do të përpiqet ta bindë se ende ka një rrugëdalje.
Ndoshta kjo është arsyeja pse ky është një nga profesionet më të pazakonta brenda Policisë së Shtetit. Sepse ata nuk luftojnë vetëm kundër një personi të armatosur. Luftojnë kundër panikut, kundër zemërimit, kundër dëshpërimit. Dhe mbi të gjitha, kundër kohës.
Një negociator nuk mund ta dijë kurrë nëse fjalia që po thotë do të jetë fjalia që do të shpëtojë një jetë. Por ai duhet të vazhdojë të flasë. Edhe kur personi përballë thotë “jo”.
Edhe kur arma është ende në dorë, edhe kur shpresat duken të pakta. Sepse parimi i tyre është i thjeshtë: Gjithmonë ka një zgjidhje.
Dhe ndoshta, në një situatë ku gjithçka duket se po shkon drejt një tragjedie, detyra më e vështirë e policisë nuk është të qëllojë. Është të gjejë fjalën që e ndalon dikë të qëllojë.
Ky është misioni i negociatorëve. Të flasin para se të flasin armët.


