Drejtori i Financave Vendore, Fran Ibrahimaj, e ka cilësuar Reformën Territoriale si të nevojshme për forcimin e bashkive, rritjen e efikasitetit të pushtetit vendor dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Sipas tij, digjitalizimi dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale do të luajnë një rol të rëndësishëm në afrimin e shërbimeve me qytetarët.
Në “NewsRoom” në ABC News, Ibrahimaj foli për rëndësinë e miratimit të Reformës Territoriale, duke theksuar se vëmendja nuk duhet të përqendrohet vetëm te numri i bashkive, por te krijimi i njësive vendore më të forta dhe më funksionale.
Ai nënvizoi se reforma e re duhet të vlerësohet në bazë të efektivitetit dhe aftësisë për të përmirësuar funksionimin e bashkive.
“Mendoj që reformat janë gjithmonë të mirëpritura dhe të nevojshme. Pas viteve ’90 është futur raporti i njeriut me territorin. Deri në 2013 kemi pasur një pushtet vendor shumë të fragmentuar. Reforma e re është një reformë që nuk kanë shumë rëndësi numrat, por ka rëndësi që ne të kemi Bashki të forta. Çdo reformë që synon ekonominë e shkallës është një reformë e mirë. Nëpërmjet qasjes së Inteligjencës Artificiale ne po synojmë t’i afrojmë shërbimet me qytetarin. Të gjitha shërbimet e pushtetit vendor do të digjitalizohen. Dhe ajo që i del për detyrë pushtetit vendor është të ndihmojë ata qytetarë, moshat e vjetra që nuk janë shumë komod në përdorimin e teknologjisë së informacionit”, tha ai.
/abcnews.al/


