Nga jugu i vendit, Kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e punimeve për bypassin e Tepelenës. Ky segment rrugor me rëndësi strategjike tha shefi i qeverisë, pritet të nxjerrë nga varfëria shumë familje të zonës dhe fshatrave rreth.
Bypassi i Tepelenës parashikohet të jetë gati pas 24 muajsh. Punimet për investimin që do të lidhë segmentin Levan -Tepelenë me Tepelenë –Gjirokastër – Kakavijë kanë nisur. Kryeministri Edi Rama tregoi se si projekti i hartuar nga qeveria paraardhëse është riparë, pasi shmangej plani fillestar i vitit 1988 dhe orientohej në mënyrë të gabuar.
“By pass i Tepelenës ka një plan fillestar të vitit 1988 qe parashikonte kalimin në të djathtë të Drinos e Vjosës, shkurtonte me 11 km boshtin e Jugut dhe rrezikun e gjurmës aktuale ekspozuar ndaj shkarjeve dhe rrezik për jetën e atyre. Megjithatë pavarësisht se studimi ishte i qartë, qeveria paraardhëse injoroi plotësisht dhe ndërtoi një aks aty ku nuk duhej ndërtuar“
Projekti i ri sipas Kryeministrit merr parasyshe zhvillimin e Tepelenës, bën më të lehtë lidhjen e 13 fshatrave pjesë e Rilindjes Rurale dhe pritet t’i japë zgjidhje një ndër pikave më problematike.
“Vrima e zezë ku shkakohen flukset nga Levani në Tepelenë dhe pastaj Gjirokastër-Kakavijë pa standarde që ngadalëson qarkullimin do eleminohet”.
Për ndërtimin e bypassit të Tepelenës me gjatësi prej 2.3 km dhe me dy korsi me nga 3.7 metra ka parashikuar të investohen 2.87 miliardë lekë. Por një tjetër rrugë që e ka të domosdoshme ndërhyrjen, sipas Kryeministrit është dhe segmenti Tiranë-Elbasan.
“U hap me një tunel një Kalimsh me bujë të madhe dhe u ekspozua ndaj shkarjeve duke na vënë ne detyrimin të ribëjmë projektin e bërë pa studim gjeologjik”.
Ndërkohë në muajin gusht, Ministria e Infrastruktures pret dorëzimin e ofertave ekonomike për bypass-in e Fierit dhe të Vlorës, ndërkohë që është riparë edhe mënyra e financimit.
“Bypassi Fierit dhe i Vlorës janë në procesin e rilidhjes së kontratave pasi u detyruam t’i anulojmë ato që ishin abuzive e të rishikojmë projektet pa logjike, pasi me BERZH rimodeluam skemën e finanicmit”.
Kryeministri shprehet se brenda muajit tetor do të nisë puna për Bypass-in e Fierit i cili beson se do të jetë gati për sezonin e ardhshëm veror. Ndërkohë bypassi i Vlorës, sipas tij do të marrë më tepër kohë./abcnews.al