Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për mediat edhe me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk. Presidenti Tusk u shpreh se Shqipëria e ka vendin në Bashkimin Evropian, por për t’ia arritur këtij qëllimi kërkohet bashkëpunim nga të gjitha forcat politike në vend.
Presidenti i Këshillit Evropian vazhdon të shprehet optimist për realizimin e reformave, të cilat sipas tij do ta bëjnë pjesë të Bashkimit Evropian.
Donald Tusk: “Nuk kam dyshime se nëse Shqipëria vijon momentin pozitiv të reformave do të jetë e mundur të arrijë rezultatet e nevojshme qershorin e ardhshëm sepse vendi i Shqipërisë është në BE dhe Shqipëria do të bëhet vend anëtar në BE. Nuk ka dyshime për këtë”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, presidenti Tusk uroi që të jetë bashkëpunuese e gjithë politika në Shqipëri.
Donald Tusk: “Është shpresa ime dhe uroj që të gjithë krahët pro europiane të politikës shqiptare të punojnë drejt këtij objektivi të njëjtë”.
Përpjekjet për të zgjidhur dallimet e mbetura me Greqinë janë prova më e mirë për angazhimi e Shqipërisë ndaj Bashkimit Evropian dhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mire tha presidenti Tusk, i cili mori edhe konfirmimin e Kryeministrit Edi Rama.
Edi Rama: “Jemi përsëri shumë të angazhuar ndaj rrugës europiane dhe zgjidhjes së problemeve të vjetra me fqinjët e jugut dhe kemi bërë progres të mirë. Shpresoj se do ta përfundojmë me sukses këtë dialog të vështirë, të hapur, por të sinqertë, siç jemi të angazhuar njëkohësisht ndaj bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal”.
Pjesë e bisedimeve të Kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të Këshillit Evropian Donald Tusk ishin edhe përpjekjet për të shtuar një rrugë të re të emigrantëve ilegalë përmes Shqipërisë.
Në fund kreu i qeverisë nuk foli për diellin sic bëri në takimin që zhvilloi në Tiranë me presidentin Tusk, por i shprehu keqardhjen për humbjen e skuadrës së zemrës të presidentit të Këshillit të Evropës.
Edi Rama: “Më vjen keq për Poloninë që humbi në kampionatin botëror”.
/abcnews.al