Në një intervistë për agjencinë greke të lajmeve ANA, kryeministri Rama theksoi se Shqipëria do të firmosë një marrëveshje partneriteti strategjik me Greqinë. Në intervistën e dhënë pas takimit me homologun Tsipras në Londër, Rama nënvizon se duhen kaluar problemet e së shkuarës.
“Greqia dhe Shqipëria do të përmbyllin marrëveshjen me një dokument të ri të partneritetit strategjik”.
Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama për agjencinë greke te lajmeve ANA, ndërsa ndodhej në Londër, ku mori pjesë në samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
“Siç e dini, ne po përballemi me një proces të vështirë, por absolutisht të nevojshëm për zgjidhjen e çështjeve mes nesh”, shprehet shefi i qeverisë shqiptare.
“Gjëja më e rëndësishme është se ne i përdorim këto probleme jo vetëm për t’i zgjidhur ato, por edhe për ta transformuar zgjidhjen në një nivel të ri të partneritetit dhe bashkëpunimit”.
Rama vuri në dukje se të dy vendet kanë pasur marrëdhënie për 70 vjet, të cilat janë karakterizuar nga lidhje gjithnjë e më të natyrshme midis njerëzve.
“Në një farë mënyre përmes zgjidhjes do të arrijmë në nivelin e njerëzve normalë, të qytetarëve mesatarë që tashmë e kanë kapërcyer të kaluarën dhe kanë përqafuar njëri-tjetrin”, shton më tej kryeministri.
Ndër të tjera gjatë kësaj interviste, kryeministri Rama ka përgëzuar Greqinë dhe Maqedoninë për marrëveshjen e arritur. Gjithashtu ai vlerësoi procesin e Berlinit për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Megjithatë pohoi se aktualisht Unioni nuk po kalon momente të bukura. Dhje kjo e shtyn të theksojë se duket si mallkim për Ballkanin, që sa herë që rajoni përmirësohet, BE përkeqësohet./abcnews.al