Turizëm i pasigurtë/ Konflikt me armë zjarri në një klub nate në Dhërmi

schedule13:59 - 8 Korrik, 2018

schedule 13:59 - 8 Korrik, 2018

Një konflikt me armë zjarri ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, në një klub nate në bregdet. Vetëm 12 orë më vonë, policia sqaroi ngjarjen përfshi emrin e personit të arrestuar. Ndërkohë në rrjetet sociale qarkullonin që në mëngjes, dëshmi të të pranishmëve të tronditur nga të shtënat, përfshi pasigurinë që prodhon që në nisje të sezonit turistik.


Disa krisma në ajër siç raporton policia? Apo të shtëna që terrorizuan pushuesit siç raportojnë dëshmitarët? Çfarë ndodhi në diskon verore Havana në Dhërmi?

Njoftimi për shtyp i drejtorisë së policisë së Vlorës është kontradiktor me dëshmitë e personave që u gjendën në vendngjarje.

Njoftimi i Policisë: “Në Dhërmi nuk ka asnjë të lënduar, asnjë të plagosur, asnjë viktimë.  Ka ndodhur një konflikt në një lokal. Një person ka qëlluar me armë në ajër.

Policia ka ndërhyrë menjëherë ku ka bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar. Grupi hetimor është duke punuar për dokumentimin e plotë të ngjarjes”.

Nuk janë kaq të ftohtë ata që kishin shkuar të pinin ndonjë gotë gjatë mbrëmjes të së shtunës në diskon verore Havana.

Dëshmia 1: “Unë gjendesha një tavolinë larg sherrit që degjeneroi në përdorim arme dhe shihja vetëm njerëz të tmerruar që përpiqeshin të gjenin strehë përfshi dhe mua. Mu duk vetja sikur isha në luftë ku e vetmja gjë që më shkonte në mendje ishte nëse isha plagosur kund teksa prekja trupin për njolla të mundshme gjaku.

Lavdi Zotit, të gjithë shpëtuam paq, ndërkohë që në vendngjarje policia mbërriti pas 10 minutash”.

Dëshmia 2: “Pa folur filluan të zihen me grushta, një skenë që mund të ketë zgjatur gati 5 minuta, rrahje në mënyrë masive, gati 20 vetë.

Në një moment pas grushtave, filluan të thyenin shishe në gjysëm…pashe se një vajzë u plagos…Pastaj skenat e tjera ishin horror. Askush nuk lëvizte. Ulërima vajzash. Njerëz poshtë shezloneve…Njerëz që hynin nëpër dyqane ku të mundnin. Policia erdhi me shumë vonesë, dhe po me vonesë edhe ambulanca. U qëllua me armë sepse ne dëgjuam të shtënat”.

Dëshmia 3:  “Isha i pranishëm tek ngjarja në Dhërmi. Ishte super kaos dhe pamë njerëz duke vrapuar, të lyer në gjak nga përpjekjet për të dalë nga Havana. Pamë më vonë edhe personin që qëlloi me armë duke u përpjekur të fshihej. Unë po kaloja aty dhe në një moment dëgjova një krismë, njerëz që bërtisnin dhe që po shpërndaheshin. Pas asaj vazhduan diku tek 6 krisma të tjera”.

Këto janë vetëm disa nga rrëfimet e atyre që panë gjithcka, përfshirë edhe personin që qëlloi në ajër identiteti i të cilit u bë i ditur nga policia e shtetit pas orës 13 të së dielës. Ai është Emiliano Nina, 23 vjeç me banim në Tiranë. Arma e zjarrit e sekuestruar është pistoletë.

Nga veprimet e para të kryera ka rezultuar se në lokal  shtetasi Emiljano Nina është konfliktuar për motive të dobëta (të hershme) me një tjetër shtetas e për pasojë konflikti ka agravuar më tej, ku shtetasi  Emiljano Nina  ka shtënë 4 herë me armë zjarri në ajër.

Për uniformat blu mund të mos ketë qenë ngjarje e rëndësishme, por pasojat e filmuara në mënyrë amatoreske tregojnë të kundërtën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!