Disa shtete të Shteteve të Bashkuara janë duke shqyrtuar mundësinë që të ashpërsojnë kufizimet, pasi është rritur numri i rasteve të reja me koronavirus, si dhe i të shtruarve.
Më 12 nëntor, në SHBA u regjistruan mbi 150,000 raste të reja, ndërkohë numri i personave që janë shtrua për shkak të COVID-19 ka arritur në 66,000.
Një në 378 banorë në SHBA kanë rezultuar pozitivë me koronavirus gjatë kësaj jave, teksa ekspertët paralajmërojnë se do të jetë një dimër i errët.
Në shtatë ditët e fundit, SHBA-ja ka regjistruar po ashtu 1,000 viktima në ditë. Kjo shifër është më e ulët se rekordi i regjistruar në muajin prill, ku në baza ditore raportoheshin për rreth 2,200 viktima.
Ekspertët po u bëjnë thirrje njerëzve që të vazhdojnë të jenë vigjilent. Për shkak të rritjes së rasteve të reja, një sërë shtetesh dhe qytetesh kanë vendosur masa të reja kufizuese.
Qytete të mëdha si Nju Jorku, San Francisko dhe Çikago kanë vendosur masa të reja, përfshirë kufizime në tubime si dhe kanë kufizuar orarin e punës të bareve dhe restoranteve.
Autoritetet në Çikago i kanë bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos pranojnë persona jashtë familjes në 30 ditët e ardhshme.
Ndërkohë, në Detroid, Indianapolis, Filadelfia është pezulluar mësimi. Edhe qyteti i Nju Jorkut ka paralajmëruar se mësimi në shkolla mund të ndërpehet për shkak të rritjes së infektimeve.
Në 34 shtete të SHBA-së, mbajtja e maskës së fytyrës është bërë e detyrueshme.
Në ditët e ardhshme, shteti i Uashingtonit, Nju Meksiko dhe Merilend, pritet që të vendosin kufizime të reja.
Disa guvernatorë nuk e kanë përjashtuar as mundësinë e mbylljes totale./abcnews.al