Pas dëgjesës publike me komunitetin e artistëve Bashkia e Tiranës zhvilloi dëgjesën e dytë publike për Teatrin Kombëtar me urbanistë dhe arkitektë. Inxhinierët deklaruan se godina e teatrit është jashtë funksionit dhe aty nuk duhet zhvilluar aktivitet. Ndërsa krybashkiaku Erion Veliaj përsëriti ftesën drejtuar artistëve për të zgjedhur përfaqësine e tyre e për t’u bërë pjesë e negociatave.
Këshilli shkencor i Monumenteve të Kulturës nuk e ka pranuar kërkesën e sindikatës së artistëve për ta shpallur Teatrin Kombëtar monument kulture të kategorisë së dytë. Këtë e bëri te ditur përfaqësuesja e këtij institucioni. Gjatë dëgjesës së organizuar nga Bashkia e Tiranës me arkitektë dhe urbanistë, Miraçi deklaroi se ashtu si në vitin 2004 specialistët kanë dalë në përfundimin se nuk mbart vlera për të përfituar këtë status.
Drejtori Institutit të Ndërtimit prezantoi konkluzionet e analizave të kryera në godinën e Teatrit Kombëtar. Sipas tij objekti është jashtë çdo funksioni dhe ka nevojë të rindërtohet. Akte bllokimi të punës në teatër ka nxjerrë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Zjarrfikës në vitin 2001 -2002 ndërsa në vitin 2014 janë lënë detyra për përmirësim të situatës.
Këtë dëgjesë kryebashkiaku Veliaj deklaroi, do ta gjejnë të dobishme edhe artistë, ndaj të cilëve përsëriti ftesën për të zgjedhur një përfaqësi të tyre dhe të bëhen pjesë e negociatave.
Artistët janë shprehur kundër shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të Teatrit të ri përmes partneritetit Publik-Privat, ndërsa arkitektë dhe urbanistë i kërkuan kryetarit të bashkisë të harmonizojë interesat mes palëve.
Kjo është dëgjesa e dytë e Bashkisë së Tiranës për tetatrin pas asaj me komunitetin e artistëve, ndërkohë dëgjesat do të vijojnë edhe me grupime të tjera. /abcnews.al