Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka dhënë detaje mbi ecurinë e projektit të Portit të ri në Porto Romano dhe situatën e Aeroportit të Vlorës, gjatë intervistës në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News.
Sa i përket Portit të Porto Romanos, Karakaçi bëri të ditur se dy procedurat konkurruese të zhvilluara deri më tani nuk kanë përfunduar me lidhjen e një kontrate. Sipas tij, në procedurën e dytë, e cila u zhvillua gjatë vitit 2026, palët ishin pranë finalizimit të marrëveshjes, por ofertuesi i mbetur në garë u tërhoq për shkak të rritjes së kostove, si pasojë e luftës dhe konfliktit në Ngushticën e Hormuzit. Ministri theksoi se në buxhetet e viteve 2027, 2028 dhe 2029 janë parashikuar sërish fonde për zhvillimin e portit, ndërsa aktualisht po rishikohet mënyra se si do të vijojë procedura e re konkurruese.
Në bashkëpunim me kompaninë projektuese Royal Haskoning, ministria po analizon problematikat që penguan përfundimin me sukses të dy procedurave të para, me qëllim që gara e tretë të mundësojë përzgjedhjen e një kontraktuesi. Karakaçi deklaroi se synimi është që deri në mesin e vitit 2027 të merret një vendim përfundimtar për mënyrën e zhvillimit të portit dhe të lidhet kontrata përkatëse.
“Porto Romano është një projekt strategjik shumë i rëndësishëm, i cili erdhi si rezultat i nevojës për të zgjeruar Portin aktual të Durrësit. Porti i Durrësit ndodhet në qendër të qytetit dhe, natyrisht, e ka të pamundur të zgjerohet më tej. Ai ka arritur pothuajse në nivelin maksimal të kapacitetit të përpunimit të kontejnerëve. Për këtë arsye, qeveria ka hartuar tashmë projektin për zhvillimin e portit në Porto Romano, në bashkëpunim me një nga kompanitë më të mëdha të projektimit të porteve në botë, Royal Haskoning.
Duhet të theksojmë se për këtë port janë zhvilluar dy procedura konkurruese. Në procedurën e dytë, e cila është zhvilluar pothuajse që nga fillimi i vitit 2026, ishim shumë pranë lidhjes së një kontrate, por ofertuesi i fundit i mbetur në garë u tërhoq për shkak të rritjes së kostove, si pasojë e luftës dhe konfliktit në Ngushticën e Hormuzit. Ky nuk ishte një lajm i mirë për ne, por tërheqja ishte një zgjedhje e ofertuesit, i cili kishte të drejtën ta merrte një vendim të tillë.
Në buxhetet e viteve 2027, 2028 dhe 2029, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka parashikuar sërish fonde buxhetore për zhvillimin e këtij porti. Megjithatë, duke marrë në konsideratë faktin se dy procedurat konkurruese nuk rezultuan të suksesshme, jemi duke rishikuar mënyrën se si do të vijojmë me dhënien e së drejtës për zhvillimin e këtij porti.
Jemi në komunikim të vazhdueshëm me projektuesin Royal Haskoning, në mënyrë që të rishikojmë atë që nuk shkoi mirë në dy procedurat e para. Kjo bëhet me qëllim që, kur të hapim procedurën e tretë, të kemi më shumë siguri se do të arrijmë të kemi një kontraktues për zhvillimin e portit.
Unë mendoj dhe parashikoj, duke qenë se ky projekt është një nga prioritetet e ministrisë, se deri në mesin e vitit 2027 do të kemi një vendimmarrje të plotë dhe të qartë për mënyrën se si do të vijojmë me këtë port. Shpresoj që deri në mesin e vitit 2027 të kemi edhe një kontratë të lidhur për zhvillimin e tij.
Aeroporti i Vlorës është një vepër shumë e rëndësishme infrastrukturore. Dua të jem i sinqertë me ju: ne prisnim që, në bazë të kontratës, aeroporti të ishte operacional në shkurt të vitit 2026. Ky ishte afati kontraktor i koncesionarit për realizimin e projektit. Kur them se aeroporti duhej të ishte operacional në shkurt, nënkuptoj jo vetëm përfundimin e punimeve, por edhe pajisjen me të gjitha licencat përkatëse dhe nisjen e fluturimeve.
Është një fakt i dukshëm dhe besoj se çdo qytetar e ka parë se ndërmjet koncesionarëve ka lindur një konflikt privat, i cili është bërë publik edhe nëpërmjet mediave, ku palët kanë shprehur qëndrimet e tyre.
Ministria, duke marrë në konsideratë faktin se kemi të bëjmë me një objekt dhe me mosmarrëveshje që kanë përfunduar edhe në arbitrazh, është treguar shumë e kujdesshme, sepse në fund të ditës interesimi ynë kryesor ishte përfundimi i aeroportit.
Ministria kishte të drejtën që në fund të muajit maj të zgjidhte kontratën. Megjithatë, vendosëm të mos e bënim këtë, por t’i jepnim një afat shtesë koncesionarit, në mënyrë që palët të zgjidhnin mosmarrëveshjet mes tyre. Pse e bëmë këtë? Pikërisht që koncesionari të përfundonte veprën.
Duke marrë në konsideratë faktin se mosmarrëveshjet vazhdonin ende në dyert e gjykatave civile dhe penale dhe se nuk kishim një plan të qartë dhe përfundimtar për datën e vënies në funksion të aeroportit, ministria vendosi të njoftonte zgjidhjen e kontratës koncesionare.
Dua të jap edhe një informacion, aq sa mundem, sepse nuk dëshiroj të shprehem më shumë për këtë çështje, pasi deklaratat mund të përdoren në kuadër të procedurës së arbitrazhit në një moment të dytë. Megjithatë, dua të theksoj një gjë, për të dëshmuar se ministria është treguar shumë e kujdesshme dhe i ka kryer të gjitha veprimet në përputhje me ligjin.
Në momentin kur ne nisëm procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare, koncesionari na drejtoi në arbitrazh përmes një procedure emergjente, në të cilën caktohej një arbitër i posaçëm për të shqyrtuar pezullimin e njoftimit për zgjidhjen e kontratës.
Arbitri i përkohshëm e shqyrtoi çështjen me shumë seriozitet dhe dha vendimin se ministria ishte në të drejtën e saj për të zgjidhur kontratën koncesionare.
Në këtë kuptim, që nga muaji shtator, kontrata është e zgjidhur dhe tashmë, në mënyrë të kujdesshme, jemi duke hartuar planin se si do të vijojmë me përfundimin e kësaj vepre.”, deklaroi ai.



