Rreth 9.85 miliardë lekë nga buxheti i shtetit do të shkojnë për burgjet vitin e ardhshëm. Drejtoresha e Përgjithshme u tha deputetëve të Komisionit Parlamentar për Çështjet e Brendshme se kanë nevojë për fonde shtesë.
Rreth 450 milionë lekë shtesë kërkohen për trajtimin ushqimor të punonjësve të Policisë së Burgjeve, ndërsa rreth 220 milionë lekë për burgun e Lezhës. Investim që do të zgjidhë mbipopullimin dhe pritet të nisë nga janari.
Gjatë seancës dëgjimore për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve u pyet edhe për transferimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit. Sipas saj, është kryer për arsye sigurie dhe urdhri është sekret.
Sekret që, sipas asaj që tha drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, publiku mund ta mësojë pas dhjetë vitesh, pra në vitin 2036. Ndërsa deputetëve, sipas legjislacionit në fuqi, mund t’u vihet në dispozicion vetëm nëse disponojnë certifikatën e sigurisë.
“Urdhri i transferimit është i klasifikuar, me nivelin i kufizuar, me afat ruajtjeje 2 vite. Ndërkohë, çdo raport, memo, vlerësim, vlerësim individual mbi rastin, i cili kryhet për shkaqe sigurie, është sekret dhe me afat ruajtjeje dhjetë vite. Ka rregullim edhe se si këto akte vihen në dispozicion. Referojuni kuadrit, ndiqni procedurën për kërkesën që duhet t’ju vihen në dispozicion”, tha ajo.
Urdhrat e transferimit, sipas Bodos, janë kompetencë e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe vetëm të premten ajo tha se ka firmosur 93 urdhra./abcnews.al


