Voltana Ademi, njëkohësisht kryebashkiake dhe presidente e KF Vllaznia, ka vizituar ditën e sotme ekipin shkodran. Kampionati ende nuk ka nisur dhe në kampin kuqeblu e gjithë kjo situata e përjetuar këtë periudhë pa futboll ka pasur pasoja.
“Një situatë e tillë sigurisht ka krijuar stres dhe paqartësi për vazhdimësinë. Për këtë qëllim në stërvitjen e sotme ka qenë e pranishme Kryetarja e Bashkisë znj.Voltana Ademi dhe sponsori Alban Xhaferi, të cilët kanë komunikuar me stafin teknik dhe lojtarët”, njofton klubi shkodran, duke hedhur dritë edhe mbi arsyen e vizitës.
Në lidhje me situatën ka folur edhe trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric: “Kjo situatë shpresojmë të kalojë sa më shpejt dhe të arrihet një marrëveshje ndërmjet palëve, me qëllim që t’i rikthehemi ndeshjeve zyrtare”.
Mes të tjerash klubi shkodran bën me dije se kryetarja Ademi dhe sponsori Xhaferi kanë garantuar futbollistët që do t’u përmbushen të gjitha detyrimet financiare, si dhe kanë marrë premtimin se ata do mundohen që sa më shpejt të nisi kampionati. /abcnews.al