Kombëtarja shqiptare luan sot miqësoren ndaj Kosovës në Zyrih të Zvicrës. Trajneri Panuçi do të bëjë sërish eksperimente, ndërsa tregon ambiciet që ka në Europian dhe në Ligën e Kombeve.
Një jetë në udhëtim, në kërkim të suksesit.
Kombëtarja shqiptare mori sërish rrugët e Europës, këtë herë për të luajtur sonte miqësoren ndaj Kosovës në Zvicër.
Të besuarit e trajnerit Panuçi do ta lenë mënjanë faktin se në Zyrih është një vëllazërore mes shqiptarësh, pasi objektivi është të krijohet një skuadër e aftë për të shkuar sërish në finalet e mëdha, siç bëri në Euro 2016.
Pas disa ditë përgatitjes në fushën e stërvitjes, Panuçi ka ndërmend të bëjë sërish eksperimente, për të shfrytëzuar çdo mundësi që i jepet.
Kristian Panuçi: “Kjo miqësore na vlen, ashtu siç i vlen të gjitha kombëtareve në botë. E di që është fundi i sezonit dhe lojtarët janë të lodhur, por po punojnë me seriozitet. Ata që nuk kanë fuqi për 90 minuta, do të zëvendësohen. Miqësorja ka rëndësi pasi është prova e fundit përpara eleminatoreve të Europianit, ku duhet të shkojmë me grup të lojtarëve të formuar. Jam i bindur se kemi një ekip të mirë, bashkë me mjaft lojtarë që nuk janë grumbulluar këtë herë, por që mund të jenë në shtator. E kemi mundësinë të pretendojnë në Europian dhe të fitojmë grupin tonë të Ligës së Kombeve”.
Kapiteni Hysaj pyetet edhe për miqësoren, ku thotë se do të luhet për fitore, por sidomos për të ardhmen e tij.
Nga Napoli u largua trajneri Sarri, a do të largohet edhe ai?
Elseid Hysaj: “Me Sarrin kam punuar prej 6 vitesh. Por besoj që Napoli ka bërë një blerje shumë të mirë. Sepse Ançeloti është një trajner shumë i mirë ka treguar se sa kampionate ka fituar në të gjitha vendet që ka shkuar. Për zërat besoj që janë zëra dhe për mua sepse çfarë lexon ti, lexoj dhe unë. Unë akoma s’di asgjë të sigurtë.”
Etrit Berisha, shqiptar i Kosovës dhe portier i kombëtares, kujton miqësoren e kaluar që përfundoi 2-2 dhe që ishte një festë, dhe bën dallimin me këtë që luhet sot.
Për ndeshjen e sotme flet edhe presidenti i Federatës, Duka.
Ai ka disa pakënaqësi për ekipin e Panuçit.
Armand Duka: “Nuk është se kemi pasur stabilitet edhe të themi që jemi shumë të sigurtë në hapat e së ardhmes. Kështu që nuk besoj që të paktën në pjesën e parë të vitit 2018 se kemi qenë në formën më të mirë të ekipit kombëtar. Uroj që të ndryshojë deri në Shtator”.
Në mënyrë të detyrueshme, do të ketë ndryshime në formacion.
Shumë lojtarë nuk janë fare me ekipin, për shkak dëmtimi, apo për zgjedhje të trajnerit, ndërsa Panuçi kërkon të luajë në sulm.
Me Berishën në portë, me Likën në krahun e majtë të mbrojtjes, do të provohen sërish në mesfushë Ramadani e Qaka, si dhe Lenjani mund të kerë rol titullari.
Në sulm, në krah të Cikalleshit do të jetë Guri, me trajnerin që po i jep besimin, ndërsa pret konfirmimin.
Formacioni i mundshëm:
Shqipëria (4-4-2): Berisha Hysaj Gjimshiti Veseli Lika Roshi Ramadani Qaka Lenjani Cikalleshi Guri
Kosova (4-2-3-1): Ujkani Ismajli Rrahmani Aliti Përdeda Shala Halimi Rashica Taipi Zeneli Avdijaj
/abcnews.al