Shqipëria mbylli negociatat për Kapitullin 20, që lidhet me “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, gjatë Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, të zhvilluar sot në Luksemburg.
Analisti Roland Bejko, në emisionin “Real Story”, vuri theksin te sfidat që e presin ekonominë shqiptare, veçanërisht bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat do të përballen me konkurrencën e kompanive të mëdha europiane.
Sipas Bejkos, integrimi në BE kërkon jo vetëm përshtatje ekonomike, por edhe një transformim kulturor dhe institucional, ku rol kyç do të kenë pushteti vendor, institucionet e pavarura dhe biznesi. Ai e cilësoi Europën si një mekanizëm presioni ndaj politikës shqiptare për të frenuar arbitraritetin dhe për të përshpejtuar reformat.
“Europa për shkak të gjeopolitikës po na afron. Ajo që ne shqiptarët ende nuk dimë, është se çfarë humbasin me integrimin në BE. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të jenë viktimat e para, sepse do të futen në konkurrencë me bizneset e mëdha europiane.
Ose do të kërkojnë partneritet me homologët e tyre europianë, ose bizneset e mëdha do të vijnë këtu. Prandaj fokusi vendoset te 3 faktorë, pushteti vendor, pushteti i pavarur dhe biznesi.
Është një revolucion kulturor që vihet brenda individit. Prandaj bëri një ministri enkas për Administratën Publike, por mbetet për t’u parë. Europa do të jetë kamzhiku mbi tekat e politikanëve”, tha Bejko.


