Tjetër goditje e Vllaznisë në merkato, që e zyrtarizon me anë të një njoftimi në faqen zyrtare. Klubi shkodran ka arritur akordin me Abdurrahman Fangajn, duke siguruar një përforcim cilësor për krahun e djathtë të mbrojtjes.
Rikthimin në shtëpi për 23-vjeçarin shkodran, i cili ishte pjesë e Laçit në katër sezonet e fundit. “Vllaznia ka bërë realitet sot edhe një tjetër firmë në kontratë. Drejtuesit e klubit në përpjekje për të ndërtuar një ekip cilësor, vijojnë edhe punën për rikthimin e futbollistëve të talentuar shkodranë që kanë luajtur me ekipet e tjera.
Dhe i radhës që rivishet kuqeblu është mbrojtësi Abdurraman Fangaj. Pas disa sezonesh aktivizimi në radhët e Laçit, tashmë 23-vjeçari do të jetë pjesë e Vllaznisë. Lojtari është në fazën e rikuperimit pas një ndërhyrje kirurgjikale që ka bërë kohët e fundit dhe për këtë arsye sot ka firmosur një parakontratë me klubin tonë e cila do të hyjë në fuqi në janarin e vitit të ardhshëm.
Me Fangajn është rënë dakord që ai të jetë pjesë e skuadrës së Vllaznisë për 3 sezonet e ardhshme. Mirë se erdhe në shtëpi Abdurrahman!“, lexohet në komunikatën e klubit shkodran, që është një nga klubet më aktive në merkato. /abcnews.al