Tirana dhe Teuta po bëjnë përgatitjet e fundit për finalen e Kupës së Republikës. Dy skuadrat do të përballen mes tyre nesër në mbrëmje (20:00) në “Air Albania” për trofeun e dytë më të rëndësishëm për futbollit shqiptar.
Bardheblutë vijnë nga festa e titullit kampion dhe stërvitja e djeshme ka prodhuar tension. Mario Morina dhe Winful Cobbinah janë protagonistët, teksa nuk kanë munguar goditjet mes tyre.
Një situatë momentale që është shuar shpejt pas ndërhyrjes së lojtarëve të tjerë dhe stafit teknik. Episodi i pakëndshëm ka ndodhur në momentet e fundit të stërvitjes, por situata është sqaruar.
Lojtarët kanë zgjidhur gjithçka mes tyre, i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit në fund duke “harruar” gjithçka dhe të gjithë në kampin e kampionëve janë të përqendruar për të fituar trofeun e radhës e për t’i dhuruar një tjetër gëzim popullit bardheblu. /abcnews.al