Duke iu përgjigjur manifestuesve kundër racizmit dhe dhunës së policisë, presidenti i Francës Emanuel Macron tha qartë se nuk do të fshihet historia e vendit dhe as nuk do të rrëzohet asnjë statujë. Ndërkohë që nga 22 qershori çdo shkollë në vend do të presë nxënësit deri në 4 korrik.
“Nuk do të fshimë asnjë emër nga historia jonë dhe nuk do të rrëzojmë asnjë statujë. Duhet të shohim me kthjelltësi historinë dhe marrëdhënien me Afrikën”
Kjo është përgjigja e presidentit francez Emanuel Macron ndaj lëvizjes franceze Black Lives Matter duke shtuar se një betejë fisnike nuk duhet tradhtohet nga një rishikim i rremë i të kaluarës. Kreu i shtetit francez iu referua manifestuesve të cilët denonconin një racizëm shtetëror dhe një mënyrë censure për trashëgiminë koloniale të Francës. Shumë militantë kërkuan fshirjen e disa personazheve të lidhur me historinë e skllavërisë si ministri Kolbert, autor i kodit të zi, statuja e të cilit gjendet në Asamblenë kombëtare.
Macron nuk kishte folur që kur kishin nisur grumbullimet kundër racizmit dhe dhunës së policisë në valën e protestave që nisën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti francez tha se racizmi, anti semitizmi, dhe diskriminimet nuk do të lejohen. Përballë zemërimit në rritje të agjentëve të policisë të cilët janë kundër masave të reja të vendosura për të kufizuar incidentet gjatë ndalimit të të dyshuarve , Macron shprehu mbështetje dhe mirënjohje për punën e policisë duke thënë se pa rendin republikan nuk ka as liri dhe as siguri.
Ndërkohë për sa i përket situatës post covid presidenti francez konfirmoi se në 22 qershor të gjitha shkollat në vend duhet të jenë gati për të pritur nxënësit pa asnjë lloj kufizimi. Viti shkollor përfundon në 4 korrik.
Dhe pse përsëriti se virusi nuk është zhdukur Macron dekretoi fitoren e parë në emergjencën shëndetësore duk i bërë apel francezëve të kthehen në punë dhe të rigjejnë dëshirën për të qëndruar me njëri tjetrin dhe për të shijuar lirinë./abcnews.al