Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Mélenchon, person non grata”/ Izraeli i ndalon hyrjen në vend kandidatit për president të Francës

schedule21:03 - 13 Nëntor, 2026

schedule 21:03 - 13 Nëntor, 2026

Franca ka kritikuar vendimin e Izraelit për t’i ndaluar hyrjen në vend liderit të partisë opozitare “Franca e Papërkulur” (La France Insoumise), Jean-Luc Mélenchon, dhe kryetares së grupit parlamentar të kësaj force politike, Mathilde Panot.

Reagimi i Parisit erdhi të enjten në mbrëmje, përmes ministrit të Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, i cili e cilësoi vendimin e autoriteteve izraelite si “demagogjik”.

Izraeli njoftoi se Mélenchon dhe Panot nuk janë të mirëpritur në vend, duke argumentuar se partia e tyre mban një qëndrim ekstrem kundër Izraelit dhe se drejtuesit e saj kanë bërë deklarata të ashpra ndaj shtetit hebre.
“Ky vendim demagogjik, që vjen nga një qeveri që ka shkelur vazhdimisht të drejtën ndërkombëtare, u shërben atyre që, si La France Insoumise, sigurojnë jetesën duke shfrytëzuar konfliktin izraelito-palestinez”, shkroi Barrot në rrjetet sociale.



Kryediplomati francez theksoi gjithashtu se Parisi do të vijojë të mbështesë zgjidhjen me dy shtete dhe bashkëjetesën paqësore mes popullit izraelit dhe atij palestinez.

Nga ana tjetër, autoritetet izraelite kanë akuzuar Mélenchon dhe Panot për përdorimin e deklaratave që i kanë cilësuar si “shpifje për gjak” kundër Izraelit.

Përplasja diplomatike vjen pas deklaratave të Mélenchon gjatë fundjavës, kur ai bëri të ditur se, në rast se fiton zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë, të parashikuara për prillin e vitit 2027, do të urdhërojë anijet franceze të shoqërojnë flotiljet që transportojnë ndihma humanitare drejt Gazës.
Më herët, ushtria izraelite ka ndërhyrë në flotilje të tilla, duke ndaluar dhe arrestuar aktivistë që merrnin pjesë në to.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Izraelit mbrojti vendimin për ndalimin e hyrjes së dy politikanëve francezë.

“Izraeli do t’u përgjigjet me vendosmëri atyre që kërkojnë ta dëmtojnë atë dhe nuk do të lejojë që individët që veprojnë kundër Izraelit dhe nxisin kundër qytetarëve të tij të hyjnë në vend”, thuhej në reagimin e diplomacisë izraelite.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!