Policia e Kukësit ka ekzekutuar urdhër-ndalimet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës për 23 persona. Disa orë pas ndalimeve, policia nxori dhe njoftimin për shtyp. Në të thuhet se ndalimi i këtyre personave u bë pasi gjatë protestës së zhvilluar në datë 31 Mars në Rrugën e Kombit, pranë Tunelit të Kalimashit, te kabinat e kalimit me pagesë te automjeteve, kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, si dhe kanë shkatërruar me zjarr kabinat dhe disa zyra të kompanisë.
Ndërkohë, policia vazhdon të kërkojë dhe persona të tjerë. Policia dhe Forcat Speciale i morën të ndaluarit nëpër banesa që pas mesnatës. Familjarët e tyre prej orëve të mëngjesit nisën të grumbulloheshin para policisë. Fillimisht ata nuk dinin asgjë ku ndodheshin fëmijët apo të afërmit e tyre. Më pas u njoftuan se të gjithë të ndaluarit ishin hequr nga komisariati i Kukësit dhe u dërguan në Tiranë.
“Ka qenë për çmimin Nobel dhe ja kanë humbur edhe çmimin Nobel, kur në një kohë kur ka dhënë prova se 500 mijë kosovarë i ka mbajt, sot na ka vënë dy dogana. Ça i kemi bërë ne këtij?”
“Policët e Shkodrës na e kanë bërë kështu. Është mësuar me Edi Ramën me thënë llafe të pista. Ne jemi një komb që ruajm, por kur plasim s’kemi. Na i kanë marrë djemtë në orën 4 të natës. As Arkani i Serbisë nuk ka vepruar qysh ka vepruar policia e shtetit shqiptar”.
“E kanë gllabëruar, e kanë bërë për vete. Kjo është kundra popullit të Kukësit”.
“Me nxjerrë vllezërit tanë përjashtë dhe atëherë do vazhdojmë prapë, po nuk u zgjidhën të drejtat tona”.
Bujar Muçmata: “Forcat e shumta policie që mbërritën mbrëmë në Kukës kanë zhvilluar operacione gjatë natës. Të paktën sipas familjarëve që pretendojnë se familjarët e tyre janë arrestuar dhe shoqëruar në Policinë e Kukësit. Ende nuk ka një deklaratë nga drejtoria e Policisë së Qarkut Kukës në lidhje me këto aksione. Gjithsesi jemi në pritje të një deklarate të mundshme”.
“Në orën 4 të mëngjesit ka ardh polica, na është futur në shtëpi dhe kanë kërku dy djemtë. Njëri, i vogli është në arrest shtëpie, ka katër muaj. I madhi nuk ndodhet se ka shkuar në Tiranë për t’u bë operacion për variçet. Ka ndodh që është gjend atje te tuneli dhe e kan ndal atje, si të tjerët. Mirëpo, djalin e vogël në arrest ma morën dhe unë nuk e di se ku është”.
“Erdhën në 4 të natës na nxorrën prej shtëpisë. Qenë duke më marrë edhe mua me vete, se ka shku në protestë Eltoni”.
“Kush ka bërë gjë le t’i marrin. Ne s’na duhet gjë ajo punë. Ne s’kena ardh me shkatërru asgjë se është pronë private, jo pronë e përbashkët si thotë ai shefi jonë, ai i gjati. Mbase është e atij, s’na hyn ajo pjesë. Ne na duhet pjesa jonë. Kena dal me protestu se për ne, taksa 5 euro është shumë barrë e rëndë”./abcnews.al