Për herë të parë, Izraeli ka konfirmuar shkatërrimin e një reaktori bërthamor në territorin e Sirisë. Shefi i ushtrise izraelite thotë se fshehtësia e këtij operacioni është një mesazh i qartë për armiqtë e tij.
Ushtria izraelite konfirmoi për herë të parë se në vitin 2007 ka ndërmarrë sulme ajrore dhe ka asgjësuar një pozicion për të cilin është besuar të ketë qenë reaktor bërthamor. Forcat e sigurisë të shtetit hebre kanë lëshuar një deklaratë në lidhje me bombardimet të kryera më 6 shtator të vitit 2007. Në të thuhet se tetë avionë F-15 kanë kryer sulm shumë të fshehtë ajror ndaj një objekti në rajonin Dejrizor, 450 kilometra në veriperëndim të Damaskut.
Deklarata thekson se objekti i asgjësuar në sulmin ajror ishte zhvilluar gjatë viteve dhe planifikohej të vihej në përdorim në fund të vitit 2007 dhe se ushtria izraelite në fund të vitit 2004 kishte filluar të marrë informata nga ekspertë të cilët kishin ndihmuar në zhvillimin e këtij objekti në Dejrizor. Gjithashtu nënvizohet se janë hedhur pohime se Koreja e Veriut është ajo që ka ndihmuar Sirinë në ndërtimin e një reaktori për prodhimin e plutonit.
Shefi i Shtatmadhorisë izraelite, Gadi Eisenkot, ka thënë se sulmi në vitin 2007 “është mesazh se nuk do të tolerohet asnjë ndërtim që paraqet kërcënim për ekzistencën e Izraelit”. Ndërsa, komandanti i forcave ajrore Amikam Norkin thekson se rrëmuja aktuale në Siri tregon se sulmi ajror ka qenë i drejtë. Ai më tej shprehet se rreziku do të kishte qenë më I madh nëse reaktori bërthamor do të kishte kaluar nën kontrollin e ISIS. /abcnews.al