Barcelona-Çelsi është sfida e madhe e mbrëmjes së sotme në Ligën e Kampionëve. Katalanasit cilësohen favoritë pas barazimit 1-1 në Londër, por anglezët synojnë të shkaktojnë një surprizë.
Përballja e parë i la gjërat të hapura.
Barcelona mori një barazim të çmuar 1-1 në fushën e Çelsit, duke qenë favorite për ndeshjen e dytë të Championsit që luhet sot.
Taktikat jo simpatike, por të sakta të Antonio Kontes u ndëshkuan nga një gabim, ndërsa tifozët u ndjenë edhe krenarë, por edhe të dëshpëruar dhe pa fat.
Fati për kalimin në çerekfinale do të përcaktohet në Barcelonë.
Kryeqendra katalanase e priti duelin me një klimë më shumë sesa pranverore, siç e tregon edhe njëra nga gazetaret e televizioneve ndërkombëtare që do të mbulojë sfidën në “Kamp Nou”.
Tifozët kanë besim se ky është viti i duhur për të mposhtur dominimin në Champions të Realit.
Askush nuk dëshiron që të kujtojë se madrilenët kanë fituar tre nga 4 trofetë e fundit, veçse katalanasit e trajnerit Valverde janë të pathyer në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve.
Pritshmëria në Barcelonë është e madhe, siç e shprehin edhe gazetat.
“El Mundo Deportivo”: Misioni Çelsi!
Gazeta “Sport”: Iniesta është gati!
Gjithsesi, Iniesta duhet të jetë në 100 për qind të formës që të luajë, ndërsa të sigurta janë mungesat e Semedos, Denis Suarezit dhe Minës, por edhe ajo e Kutinjos që nuk e lejon rregullorja, pasi ka luajtur në Champions me Liverpulin.
Geri Lineker, ish-sulmues i Anglisë dhe i Barcelonës, këshillon: “Barcelona duhet të sulmojë në ballë të gjerë dhe të bëjë presion të lartë”.
Trajneri Ernesto Valverde ndjen padyshim stresin e një takimi të vështirë, të cilit nuk i dihet fundi.
Ernesto Valverde: “Çelsi është ai që pamë në ndeshjen e parë. Ekip shumë i organizuar, i fortë psikologjikisht dhe mund të shënojë në çdo moment me lojën e shpejtë që zhvillon. Nuk e di sesi do të jetë taktika e anglezëve këtë herë, por mund të them se nuk mund t’i besojmë rezultatit të ndeshjes së parë, ndonëse është pozitiv për ne. Besoj se do të ndodhin shumë gjëra sonte, ndaj duhet të sulmojmë për të shënuar dhe për të fituar, por pa kaluar në aventurë”.
Një nga mjeshtrat më të mëdhenj të kësaj skuadre, Sergi Buskets, pranon se do të jetë një betejë e vështirë taktike.
Sergio Buskets: “Pritet që të luajmë një ndeshje të fortë dhe aspak të lehtë. Në fund të fundit, ky është Championsi dhe ne do të përballemi me kampionen e Anglisë. Sidoqoftë, ne duhet të luajmë sipas mënyrës sonë, të qarkullojmë topin dhe të shfrytëzojmë rastet, por duket pasur kujdes sepse Çelsi është i vendosur shumë mirë në mbrojtje dhe të rrezikon me kundërsulm. Duhet të mendojmë për ta fituar ndeshjen”.
Lojtarët e Çelsit mbërritën në “Kamp Nou” të qeshur, por padyshim me tension të brendshëm. I dhanë dorën e fundit përgatitjeve, ndërsa kanë pak probleme, me mungesat e David Luizit dhe Barklit. Trajneri Antonio Konte kërkon që të mos përsëritet ajo që ndodhi në “Stemford Brixh”.
Antonio Konte: “Kamp Nou është një stadium i shkëlqyer dhe me një fushë të madhe. Është shumë emocionuese që do të luajmë një ndeshje të tillë, ndërsa për të fituar do të na duhet të bëjmë paraqitjen perfekte. Në ndeshjen e parë e bëmë këtë gjë, por kryem edhe një gabim dhe e paguam shtrenjtë. Barcelona ka lojtarë shumë të mirë, ka Mesin, por ka edhe Iniestën që është një gjeni. Unë e krahasoj me Andrea Pirlon, dhe është një gjeni i futbollit”.
Një nga shpresat e mëdha të Çelsit është te ky lojtar, Uillian.
Uillian: “Ne kemi lojtarë të mëdhenj, ata kanë po ashtu lojtarë të mëdhenj. Ata kanë më të mirin në botë, Mesin. Kushdo e di se çfarë cilësish ka Mesi. Ne duhet të bëjmë një ndeshje të përsosur dhe pa gabime”.
Ndeshja luhet në 20:45 në stadiumin “Kamp Nou” që pritet të jetë plot me mbi 90 000 spektatorë./abcnews.al