Më parë ishte Atalanta, ndërsa tani një tjetër “hirushe”.
Mbetemi në Lombardi, aty ku janë edhe dy gjigandët Milan e Inter, dhe ku Italia nxjerr të papriturat e saj në arenën europiane.
Është Komo, skuadra e radhës që në Apenine e quajnë “çenerentola”, dhe që arriti fitoren më të madhe në historinë e saj, 4-1 ndaj Mançester Junajtidit në Champions.
Stadiumi modest “Xhuzepe Sinigalia” në qytetin gjithashtu modest në brigjet e Liqenit në Komos, përjetoi një mbrëmje të paharruar përballë “djajve të kuq”, tri herë kampionë të Europës.
Niko Paz ishte heroi me dy gola të shënuar, një që në 2’, dhe tjetrin në 57’.
Greku Duvikas realizoi për 2-0 në nisje të pjesës së dytë, ndërsa Ramon e ngriti epërsinë në 4-0 çerek ore para fundit.
Një Mançester Junajtid I shpërfytyruar dhe tepër larg epokës së Sër Aleks Fergusonit, thjesht shënoi një gol në sekondat shtesë, kur nuk është se I hynte në punë.
Gjigandët anglezë nuk është se nuk ishin në fushë, ata bënë madje pak më shumë gjuajtje dhe topin e mbajtën 46 për qind, por saktësia dhe shënjestra ishin në anën e italianëve me 9 gjuajtje në kuadrat ndaj 4.
Trajneri Sesk Fabregas vazhdon me mrekullinë e tij, siç bëri sezonin e kaluar, dhe Komo I ka mundësitë të pretendojë të shkojë të paktën në plej of, përse jo në raundin e dytë, që do të ishte një arritje e jashtëzakonshme.


