Nënshkodra ende e përmbytur, 30 shtëpi të izoluara

schedule14:32 - 9 Mars, 2018

schedule 14:32 - 9 Mars, 2018

Fshatrat e Nënshkodrës vazhdojnë të jenë të mbuluara nga uji, ndërsa nga tre Hidrocentralet e Kaskadës së Drinit vazhdojnë shkarkimet. Sipas të dhënave më të fundit, 30 banesa janë të izoluara nga uji, ndërsa banorët apelojnë për ndihmë.

Banorët e Nënshkodrës edhe këtë të premte përdoren lundrat e varkat. Situata nga përmbytjet nuk është përmirësuar.

Sipërfaqja totale e mbuluar nga uji raportuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Bashkia e Shkodrës ka arritur në 2285 hektarë.

Afro 800 hektare tokë e përmbytur është në Njësinë Administrative të Dajçit. Vetëm në lagjen Zadrimë, në fshatin Shirq janë të bllokuara nga uji 26 familje.

Niveli i ujit ka pësuar rritje përsëri dhe ka tendencë rritjeje. Gjithashtu nga prurjet janë të izoluara edhe 4 shtëpi në fshatin Mushan.

Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit afërsisht në 300 metra gjatësi. Edhe ne  Anen e Malit, situata nuk është përmiresuar.

Në Obot nuk mund të kalohet as me makinë ushtrie, por vetëm me varka. Në këtë zonë janë përmbytur 1200 hektarë tokë dhe janë dëmtuar 890 ha me kultura të ndryshme bujqësore dhe frutore. Kurse prej dy ditësh furnizimi me ushqime po bëhet nga Emergjencat Civile. Nuk dihet ende kur do të nisë largimi i ujit në një kohë shkarkimet nga hidrocentralet vazhdojnë. Siç raporton Ministria e Mbrojtjes, nga Fierza shkarkohen 400 me kub në sekondë, nga Komani 60 metra kub, dhe nga Vau u Dejës 1 mijë metra kub në sekondë. /abcnews.al