Vllaznia mund thellë Flamurtarin

schedule20:53 - 5 Mars, 2018

schedule 20:53 - 5 Mars, 2018

Vllaznia e Luftëtari arrijnë fitore të rëndësishme në ndeshjet e Superligës. Shkodranët mundën thellë Flamurtarin, ndërsa gjirokastritët ia dolën ndaj Kamzës.

A thua është kjo skuadra që po lufton për të mbijetuar?

Shumëkush duhet të jetë habitur me Vllazninë që u vu përballë Flamurtarit dhe fitoi 3-0 në takimin e vlefshëm për Superligën.
Diçka krejt e pazakonshme për një formacion që kishte mbledhur vetëm 22 pikë në 22 ndeshje, që ishte në vend të parafundit dhe që kishte shënuar vetëm 20 gola deri tani.

Vllaznia tregoi se lavdia e vjetër e futbollit shqiptar mundet edhe të arrijë suksese ndaj njërit prej ekipeve më të mirë të vitit, Flamurtarit.
Golat u shënuan nga mesfushori Erion Vucaj dhe dy herë nga sulmuesi Xhevahir Sukaj, por shkodranët mund të kishin fituar edhe më thellë.
Kapiteni Gilman Lika gaboi në gjuajtjen e një 11-metërshi, ndërsa Sukaj pati mundësi të shënonte edhe gola të tjerë.
Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka ka tani 25 pikë, tri më shumë sesa Teuta, duke qenë e shpëtuar për momentin.
Sukses të rëndësishëm arriti edhe Luftëtari.

Mjaftoi një gol i shënuar 20 minuta para fundit nga Donald Rrapo që të fitohej ndeshjen ndaj Kamzës në Gjirokastër, skuadra e trajnerit Hasan Lika të ngjitej ndjeshëm në tabelën e renditjes.

Përballja në Gjirokastër u luajt nën epërsinë e skuadrës vendase që pati raste të mira me anë të Bregut, Abazajt e Ramadanit, që ishin të rrezikshëm gjatë gjithë kohës.

Kamza e trajnerit Ndreu nuk arriti ta përballonte kundërshtarin, pavarësisht lojtarëve cilësorë në përbërje.
Me këtë fitore, ekipi i trajnerit Hasan Lika u ngjit në vendin e katërt në Superligë, duke pasur 34 pikë, e duke lënë prapa Laçin, Kamzën dhe Partizanin.

Gjirokastritët i kanë të gjitha mundësitë të luftojnë për një vend në Europë, duke qenë pranë Kukësit e Flamurtarit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!