Dimitar Berbatov, sulmuesi bullgar që ka luajtur me klubi si Leverkusen, Manchester United dhe Tottenham, ka dhënë një intervistë së fundmi dhe flet edhe në lidhje me lojtarin e Real Madrid, Luka Jovic. Serbi ka qenë në qendër të vëmendjes për sjelljen e tij dhe Berbatov e këshillon atë të bëjë durim dhe të disiplinohet.
“Ashtu si unë, Jovic është nga Ballkani dhe ne andej duam të ‘jetojmë’ pak më tepër. Shpresoj që suksesi dhe lëvizja e tij te Reali të mos ia kenë rritur mendjen. Kjo është e rrezikshme dhe ai duhet të disiplinohet”, thotë fillimisht Berbatov.
Më pas ai shton: “Gjithsesi ai është akoma një lojtar i ri dhe pati një sezon të shkëlqyer te Frankfurt, që i dha atij edhe transferimin në Madrid. Për momentin gjërat nuk po shkojnë mirë për të, por mos të harrojmë që përpara tij është një lojtar si Benzema, të cilin e kanë nënvlerësuar”.
Në fund, Berbatov shprehet se Jovic mund t’u bëjë punë shumë klubeve në Premier League: “Jovic duhet të ketë durim. Nëse dëshiron të luajë menjëherë, atëherë të zgjedhë të shkojë në huazim ose një klub që ta blejë dhe të luajë më shumë. E shoh atë si një lojtar shumë të dobishëm për shumë klube të Premier League”. /abcnews.al