Mund të ankohen sa të duan, por nuk u vlen për gjë. Jo se një klub si Reali nuk mundet që të ngrejë zërin për gabime dhe padrejtësi, të cilat ndoshta edhe u bënë në derbin e kryeqytetit, veçse kjo nuk e ndryshon bindjen e tifozëve dhe të mediave.
Bindja është që madrilenët e trajnerit të famshëm, por të larguar prej kohësh nga skena e madhe, Zhoze Murinjo, nuk i ka punët aspak mirë, dhe kjo për faj të vet.
Atletiko fitoi 2-1 në përballjen e La Ligës, duke përfituar edhe nga bujaria e arbitrit madrilen, Ortiz Arias dhe të teknologjisë VAR, sidomos në ndërhyrjen e koreanojugorit Kang-In Li ndaj Valverdes, por edhe të Kuti Romeros kundër Xhud Belinghamit, duke rrezikuar dëmtim respektivisht në kavilje dhe gju.
Nuk u dha asnjë karton I kuq, ndërsa rezultati ishte 0-0. Gjithsesi, vetë “merengesit” nuk I dolën për zot vetes. Pësuan dy gola pas pushimit, shënuar me penallti nga Alehandro Grimaldo në 53’ dhe Xhonatan Dejvid në 59’.
Për më keq, të ashtuquajturit “mbretërorët” mbetën me 10 vetë pas penalltisë, sepse Hejsen u përjashtua me të kuq si lojtar i fundit. Në fund, nuk bëri punë goli nga mbrojtësi gjerman, Antonio Rydiger.
Atletiko e mbajti topin si rrallë herë 65 për qind, bëri dyfishin e gjuajtjeve të kundërshtarit, ndërsa në kuadrat goditjet ishin 7-3. E paimagjinueshme kur përballë janë një ekip që vlen 1.46 miliardë euro, dhe një tjetër që “peshon” vetëm 680 milionë.
“Derbi është territor I Atletikos dhe Madridi I Murinjos hyn në krizë, – shkruan “Marka”, që kritikon ashpër brazilianin Vinisius!” Kritika e “Markës” është e ashpër për skuadrën e trajnerit portugez, ndërsa thekson se “polemikat për arbitrimin, që mund të jenë të drejta, nuk mund ta fshehin faktin se nuk pati aspak futboll!”
E përditshmja “AS”, po e kryeqytetit thekson me ironi se “Atletiko triumfoi, dhe se në fushë shkëlqeu arbitri Ortiz Arias dhe Reali”, ndërsa informon se pati përplasje në tunelin e stadiumit si rrjedhojë me kartonë të kuq. Në renditjen e La Ligës, bardhekuqtë kanë tani 16 pikë, ndaj 15 të ekipit të Murinjos, që padyshim rrezikon stolin, ndërsa Barcelona ka nisur arratisjen me 21 pikë të plota.

