Në një kohë që kryeministri Rama dhe autoritete të shëndetësisë përsërisin se “do jëtë një javë e vështirë”, 15 raste të reja me koronavirus janë konfirmuar në vend.
Kështu, në total numri total i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri është rritur në 104 ndërsa për fat të keq, në orët e fundit, u raportuan edhe dy viktima. Një 71-vjeçar me disa sëmundje bashkë-shoqëruese dhe një 43-vjeçar, i cili kishte obezitet.
Me shtimin e rasteve të hëhën, hartës së qyteteve të prekura nga koronavirusi i shtohet edhe Shkodra.
Të marra të gjitha së bashku, qytetet që kanë raste të raportuara me koronavirus janë, Tirana, Durrësi, Lushnja, Elbasani, Fieri, Rrogozhina, Kavaja, Korça, Vlora dhe së fundmi Shkodra.
Nga raportimet që janë bërë dita ditës rezulton se qytetet ku ka numër më të madh të infektuarish janë Tirana, Fieri, Durrësi, Vlora dhe Korça.
Tirana
Tirana është qyteti më i prekur nga Covid-19 në vendin tonë, deri më tani në kryqytet numërohen 68 raste të konfirmuara. Nga këta, ka ndërruar jetë një person.
Fieri
Një tjetër “zonë e kuqe” e Shqipërisë mbetet Fieri ku numërohen 12 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa për fat të mirë, asnjë person nuk e ka humbur jetën si pasojë e Covid-19.
Durrësi
Në Durrës janë të infektuar me koronavirus 6 persona dhe një person ka humbur jetën.
Vlora
Qyteti bregdetar numëron 4 raste të konfirmuara me koronavirus, dhe nuk ka asnjë viktimë.
Korça
Qyteti juglindor numëron tre persona të infektuar dhe asnjë viktimë. /abcnews.al/