Kryeministri Edi Rama u kërkoi qytetarëve që të zbatojnë ligjin special, aktin normativ për masat kundër përhapjes së koronavirusi.
Po ashtu Rama theksoi se këto ditë që jemi në vetizolim, nuk mund të rrimë si me pushime por të rimodelojmë ekonominë familjare pasi në këtë mënyrë mendojmë për ata që nuk kanë mundësi të ushqehen.
“Kush nguron të bëjë gjënë e duhur sot, kush ngatërron lirinë e fjalës me detyrimin për të dëgjuar dhe zbatuar çdo ditë, pa një pa dy, këshillat e përditshme dhe urdhrat e përditshëm, që në kohë normale do të tingëllonin se vijnë nga çmendina, kush lëshohet dhe dorëzohet , e paguan nesër aq shtrenjtë sa nuk do të donte as ta imagjinonte sot. Nuk i kërkoj askujt që të vihet në pozitën time sot, as ju kërkoj të kuptoni as se prej shumë ditësh tashmë e kujtoj sa herë hap sytë fjalinë epike të Lindon Jonson kur i detyruar ti përcillte kombit një lajm të zi tha:
Çdo gjë që kam do ta jepja që të mos dilja sot përpara jush!
Ju kërkoj vetëm të bëni durim si kurrë ndonjëherë më parë dhe të dëgjoni lutjen time për të mirëkuptuar përmasën e jashtëzakonshme të vështirësisë që na duhet të gjithëve sëbashku të kapërcejmë.
Të bombarduar me gjithfarë lajmesh e rrëfimesh e të sfiduar me nervat tuaja nga forca e zakonshme e jetës së përditshme , ju keni të drejtë të ankoheni, të mendoni se e dini më mirë këtë apo atë, të alarmoheni nga kjo apo ajo, pse u bë kështu apo pse u bë ashtu…, keni të drejtë të mërziteni, të acaroheni, të hamendësoni lloj –lloj gjërash e madje edhe të më shani, akuzoni dhe ofendoni mua por askush nuk ka të drejtë të vërë në diskutim dobinë jetike të kufizimeve skandaloze që po iu imponohen të gjithëve dhe të shkelë ligjin special dhe urdhëresat ekstreme të cilat më ka rënë mua barra t’ja u komunikoj në bazë të këshillimeve me ekspertizën e praktikat e vendeve të tjera, në bazë të orientimeve të komitetit teknik, të ekspertëve dhe të vendimmarrjeve të sugjeruara nga Ministrja e Shëndetësisë.
Kjo të dashur miq nuk do të jetë një luftë e shkurtër dhe nuk ka asnjë lidhje me një lojë kukamcefti në rang kombëtar të cilën mund ta mbarojmë në fundjavë apo 1 apo 2 javët të tëra në shtëpi, askush nuk e di këtë, askun në botë sa mund të zgjasë kjo luftë me armikun e padukshëm që siç e shihni po mbyll në shtëpi popujt e mbarë planetit duke kapur gafil dhe fuqitë më të mëdha ekonomike dhe teknologjike të globit.
Ajo që dimë që të gjithë, dhe që një nga një po e pranojnë dhe po i nënshtrohen pas ngurimesh të kuptueshme dhe vonesash të dëmshme është se i vetmi ilaç për të lehtësuar plagët e mëdha dhe ulur numrin e viktimave të pashmangshme të këtij virusi, të cilit nuk i është gjendur ende ilaçi, është kufizimi drastik i lirisë sonë të lëvizjes dhe distancimi deri në absurd nga njëri-tjetri.
Nga ana tjetër sfida e tmerrshme për vendimmarrësit e liderëve të vendeve është të shohin jo vetëm se si të mbyllin rrugët e komunikimit për vendin, komunitetin, familjet e deri edhe brenda vetë familjeve për ata që janë më të moshuar por të garantojë që pas lufta të mos jetë një e tatëpjetë pa rrugëdalje drejt humnerës ekonomike.
Sikur shërbimi shëndetësor, ushqimin, ilaçet, dritat, uji, siguria, pensionet, rrogat e atyre që sot nuk janë në punë por në shtëpi por s’mund të jetojmë muajin tjetër me ajër kuptohet, të mos vareshin nga paratë që prodhon zinxhiri ekonomik i vendit por të vinin nga qielli atëherë me të drejtën e zotit, unë që më qëlloi të jem sot lideri juaj dhe që edhe sikur të jap çdo gjë që kam, nuk kam si i iki kësaj përgjegjësie, duhet të varesha nga këmbët madje në sheshin Skënderbej, për mosmbylljen e të gjitha veprimtarive prodhuese.
Ju lutem të gjithëve ta kuptoni se të mbyllësh aktivitetin prodhues sot është njësoj si ti heqësh gjithë shqiptarëve pas dy apo tre muajve aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar që mban në jetë një organizëm në gjendje të rëndë pas infektimit nga ky virus, i cili po sprovon jo vetëm trupin dhe trurin tonë por edhe Shqipërinë. Kjo do të ishte vetëvrasje e drejtuar e një populli të tërë, dhe kjo nuk ka për të ndodhur.
Kush nuk e kupton këtë le të më shajë sa të dojë e mirëkuptoj me gjithë zemër. Të jeni të qartë vendimi për mosmbylljen e aktivitetit prodhues nuk do të thotë sakrifikim i shëndetit të atyre që duhet medoemos të shkojnë në punë. Absolutisht JO!.
Ne Shqipëria, ishim të parët në Evropë që mbyllëm shkollat dhe kemi qenë në çdo hap në rreshtin e parë të vendeve në ekzekutimin e masave shtrënguese. Por asnjë vend, asnjë ekspertizë, asnjë llogari dhe asnjë fantazi ekonomike nuk e ka bërë atë që shihet deri më sot, pjesën kritike, të zinxhirit ekonomik, në planin e masave drastike të kufizimit të aktivitetit njerëzor brenda territorit. Asnjë! A Itali, as Izraeli, as Franca që nesër kalon në shtet-rrethim total nuk do mbyllë asnjë fabrikë.
Ne jemi të paktët vende me sanksione të reja për këmbësorët që hyjnë në fuqi nesër. Ne jemi i vetmi vend që mbyllëm transportin urban në rang republike. Ku Kina mbyllu Ëhanin, hapi fabrika fasone për prodhimin e maskave edhe vendet e tjera. Asnjë vend nuk është gjetur i përgatitur për numrin e maskave dhe aparaturave për oksigjen, kudo po shpërndahen maskat që këtu u quajtën të skaduara.
Për ata që duhet ët shkojnë në punë, masat mbrojtëse funksionojnë, ne i kemi kërkuar kompanive të marrin masat e thjeshta për të mbrojtur personelin. Kemi në terren grupin e inspektimit. Duhet ët jemi të qartë, kjo është luftë dhe në luftë jeni një, por nuk jemi të gjithë njësoj disa duhet të dalin sot në luftë, që kur të dalim nga lufta, mos të na bjerë shtëpia.
Të gjithë do të ulim shpenzimet dhe të rimodelojmë ekonominë familjare, nuk mund të rrimë këto ditë si me pushime, ku hamë e pimë, ku disa të tjerë nuk kanë çfarë të hanë. Konkretisht ne do të kemi shumë shpejt brenda kësaj jave planin e garancisë financiare, për të gjithë ata që lanë punë dhe u futën në llogoren e shtëpisë. Ata që flasin sot pa pasur asgjë në dorë, asnjë minimum ndërgjegje, në këto ditë ku zhvillohet një betejë me një armik të padukshëm që i kanoset njerëzve tanë të dashur.
Ne jemi Shqipëria, as Gjermania as Franca dhe nuk i kemi miliardat e tyre, po r po bëjmë gjithçka mundemi dhe nuk mund të lejojmë të bluajmë kockën e ekonomisë sonë dhe pas 2 muajsh tre muajsh, ky armik do shporret.
Ju lutem të mos e harrojmë që nuk jemi të gjithë në shtëpi sepse disa nga ne janë në çadër. Kjo që na ka rënë shumë herë më e tmerrshme se tërmeti, por atyre që i ra çatia mbi kokë, nuk mund tu themi, ju prisni se shtëpitë e juaja nuk i rinisim dot se ra korona. Do nisim rindërtimin sapo korona të shporret“, tha Rama./abcnews.al