Ministrja Gjonaj për ngritjen e SPAK: Jemi në pritje të komisionit të Vettingut

schedule17:28 - 16 Shkurt, 2018

schedule 17:28 - 16 Shkurt, 2018

Ngritja e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka ende një kohë të përcaktuar. E pyetur në komisionin e integrimit nga deputetët e opozitës, ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se priten rezultatet e komisionit të Vettingut për kandidatët anëtarë të KLGJ e KLP.

Është thirrur në dëgjesë nga komisioni për integrimin europian.

Raportimi i ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për përmbushjen e tri prioriteteve në kuadër të procesit të integrimit, për reformën në drejtësi, luftën kundër

korrupsionit dhe për të drejtat e njeriut nuk ka bindur deputetët përfaqësues të opozitës në këtë komision.

Klajda Gjosha: “Ju në fakt filluat t’i shmangeshit pyetjeve duke thënë se nuk donit të ngatërronit rolin e ekzekutivit me legjislativin”.

Nuk dha afat konkret se kur mund të ngrihet SPAK, pasi sipas ministres Gjonaj është në varësi të ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Etilda Gjonaj: “KLGJ-ja dhe KLP-ja ngrihen në momentin që mbaron procesi i Vettingut për anëtarët gjyqtarë dhe anëtarët prokurorë që do të jenë pjesë e KLGJ dhe KLP. Presim rezultatet e para, me qëllim që këta anëtarë të konsiderohen të vlefshëm dhe të kalojnë procesin e Vettingut”.

Shqetësimi që ngriti disa ditë më parë eurodeputeti gjerman, Thorsten Frei, për mungesën e fondeve për ngritjen e instiituicione të Vettingut ministrja tha se është zgjidhur ndonëse as kjo përgjigje nuk i bindi deputetët e opozitës në komisionin e integrimit.

Etilda Gjonaj: “Buxheti që është kërkuar nga organet e Vettingut iu është dhënë vënë në dispozicion aq sa është kërkuar nga ata”.

Jorida Tabaku: “Nuk është e vërtetë që organet kanë marrë të gjithë buxhetin që ata kanë kërkuar. Organet e Vettingut kanë patur një buxhet të reduktuar me një të tretën. Ne e kemi diskutuar këtë bashkë në komisonin e ekonomisë dhe kjo është e vërteta. Organet e Vettingut kanë pasur kërkesa më të larta”.