Pas katër muaj negociatash ditën e djeshme u votua Qeveria e re e Kosovës. Me shumicë votash, kuvendi ka votuar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës të udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti. Qeveria e re është rezultat i koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në një lidhje telefonike me “ABC e mëngjesit” analisti Ismail Tasholli u shpreh se tashmë qytetarët presin zgjidhje profesionale, ndërsa u shpreh se Kosovën e pret një sfidë e vështirë sa i përket dialogut me Serbinë.
“Qytetarët tashmë presin zgjidhje profesionale. Jetojmë në një fazë ku shpeshherë problemet e qytetarëve nuk kanë përcaktim të majtë apo të djathtë. VV ka shumë elementë që nuk mund të përcaktohen si të majta apo të djathta. Nesë shtetin e reduktojmë vetëm te kursimi i parasë nuk do të ketë sukses”, u shpreh Tasholli.
Ndërsa sa i përket fjalës së mbajtur në Kuvend, Tasholli theksoi se shpërthimi i Kurtit shihet si një mllef i akumuluar për një kohë të gjatë.
“Shpërthimi i djeshëm është i akumualuar nga një kohë e gjatë. Mllefi ka shpërthyer për të thënë që ne jemi këtu. E rëndësishme është që Kurti është zgjedhur kryeministër dhe e ka terrenin e hapur për të provuar veten. Gjuha e komunikimit ka qenë e ashpër mes Vetëvendosjes dhe partive të tjera. Një faza e vështirë politike e pret Kosovën, sidomos sa i përket dialogut me Serbinë. Nuk dihet se si do të reagojë ndaj taksës. E rëndësishme është marrëveshja përfundimtare, sivjet është viti i fundit ku do të nënshkruhet marrëveshja, kjo do të jetë edhe pjesa më e vështirë”, tha më tej Tasholli./abcnews.al