Ansu Fati po përjeton një ëndërr. 17-vjeçari i talentuar shënoi dy gola në fitoren e mbrëmjes së kaluar ndaj Levantes pas asisteve të marra nga Leo Messi dhe nuk e beson ende që po luan përkrah kapitenit.
Sulmuesi i majtë ka shënuar 5 gola në sezonin e parë me Barcelonën dhe po i bind të gjithë me cilësitë e tij. Në një deklaratë për Movistar, Fati ndalet te momenti magjik dhe ka vetëm falënderime për trajnerin dhe shokët e skuadrës.
“Të luash përkrah këtyre lojtarëve te Barcelona është shumë e thjeshtë, por të luash përkrah Messit është diçka unike. Akoma nuk arrij ta besoj këtë. E kam ndjekur Messin për vite me radhë në TV dhe nuk arrij ta besoj ende që po luaj përkrah tij. Është një ëndërr e kthyer realitet.
Dua të falënderoj trajnerin dhe shokët e skuadrës. Të gjithë më thonë që duhet të mendoj vetëm se si të përmirësohem me qetësi dhe po ma bëjnë gjithçka më të thjeshtë me këshillat e tyre“, thekson Ansu Fati. /abcnews.al