Kuvend në një seancë të zhurmshme dhe jo parlamentare

schedule19:07 - 1 Shkurt, 2018

schedule 19:07 - 1 Shkurt, 2018

Edhe seanca e fillim Shkurtit në Kuvendin e Shqipërisë nuk pa një zhvillim normal të situatës.

Shkak i përplasjes mes mazhorancës dhe opozitës, e cila çoi në vijimin e miratimit të projektligjeve në një situatë jashtë normales, u bë kërkesa e fjalës për procedurë e kreut të grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho.

Emri Nazer Seitaj, i artikuluar nga kreu i grupit parlamentar demokrat, solli ndërprerjen e fjalës nga kreu i Kuvendit, i cili diskutimin preferoi ta mbante në pikën e rendit të ditës në radhë.

Nga ky moment foltorja e Kuvendit u kthye në zonën e nxehtë të përplasjes.

Në kthim vijoi me leximin e rregullores.

“Për çështje të procedurës fjala jepet menjëherë. Janë çështje të procedurës kërkesat që kanë të bëjnë me zbatimin e rregullores, propozime apo ndryshime të rendit të ditës të miratuar, ndërprerjen apo shtyrjen e seancës apo diskutimeve, apo kërkesa për mënyrën e marrjes së vendimeve”.

Pjesëmarrja e kryeministrit në sallë, kjo ishte kërkesa që Spaho nuk arriti të artikulonte dhe çoi në përjashtimin e tij nga salla.

Ndërkohë në ambjentet e jashtme të parlamentit…

Ervin Salianji: “Ka kaluar Janari dhe i vetmi peshk i madh që është kapur është ky që kam kapur unë. Për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, unë kam justifikuar paratë e taksave të tyre. Tentova ta fus në parlament për t’ia dhënë kryeministrit në mënyrë simbolike, por punonjësit e Gardës më thanë që këtu lejohen vetëm peshkaqenë”.

Rikthimi i seancës e gjeti foltoren ende të bllokuar dhe opozitën të përkushtuar për të mos lejuar fjalën e mazhorancës të qetë. Kjo nuk ndaloi Gramoz Ruçin të vijonte me rendin e ditës dhe votimin e projektligjeve.

Opozita ndërkohë, fjalën e mohuar sipas saj në foltore e mori jashtë sallës parlamentare.

Lulzim Basha: “Skandali më i madh këto 27 vite është rrëmbimi i Nezar Seitit, financierit të bandës së Habilajve, njeriut që ka mbajtur shënim se sa para i janë dhënë Saimir Tahirit, sa për veten e tij, sa për Edi Ramën”.

Bllokimi i parlamentit i solli edhe argumentat e ish-kryeministrit Berisha jashtë godinës së seancave plenare.

Sali Berisha: “Përjashtoi kryetarin e grupit parlamentar për të krijuar një situatë në të cilën të kalojë hajdutërisht ligjin e hajnisë më të madhe aktuale, publike, aeroportin Habilaj në një çmim 5 deri në 6 herë më të madh se të aeroportit të Kukësit. Përjashtoi kreun parlamentar demokrat hajdutërisht nga parlamenti sepse ka bërë aktin më të rëndë antishqiptar në hitorinë 104-vjeçare të këtij vendi. Ka bërë pazarin e kufirit detar të Shqipërisë me Greqinë në të cilën ministri i Jashtëm grek thotë, “fituam zgjerimin e ujërave territoriale me 12 milje”. Ky s’mund ta kalojë atë pa kaluar mbi trupat tonë”.

Strategjia e opozitës për mos lejimin e fjalës së deputetëve socialist, si brenda ashtu edhe jashtë sallës së seancave u artikulua edhe nga nënkryetari demokrat i parlamentit Edi Paloka, i cili sëbashku me deputetët e frontit opozitar, pritën deri në largimin e deputetit të fundit socialist nga ambientet e parlamentit shqiptar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!