4 punonjës të bashkisë së Dibrës mbetën të lënduar pas përplasjes me shkopinj beisbolli në ambjentet e institucionit. Policia ka identifikuar autorët, disa prej të cilëve rezultojnë të punesuar në Bashki. Ndërsa, kryebashkiaku Muharrem Rama thotë se me këtë incident synohet që të ushtrohet presion në vendimarrjet e Bashkisë.
Një konflikt me sende të forta ndodhi në mëngjes herët brenda ambienteve të Bashkisë së Dibrës. Disa punonjës të institucionit të ndihmuar nga persona të jashtëm kanë hyrë nga dera e pasme e godinës dhe kanë goditur me shkopinj beisbolli, fillimisht truprojën e kryetarit të Bashkisë, Hektor Daci dhe më pas drejtorin e personelit, Drini Mataj.
Gjatë përplasjes kanë ndërhyrë edhe punonjës të tjerë të bashkisë.
Autorët janë larguar nga bashkia pas sherrit, ndërsa katër të lënduarit po marrin ndihmën mjekësore në spitalin e Peshkopisë. Policia lokale ka identifikuar autorët dhe po punohet për kapjen e tyre.
I pranishëm gjatë konfliktit ka qenë edhe kryetari bashkisë Dibër, Muharrem Rama. Disa orë pas ngjarjes, kryebashkiaku ka publikuar në faqen zyrtare të tij në Facebook edhe një sqarim për incidentin.
“Sot në ambjentet e Bashkisë Dibër një grup prej 20-30 personash pjesë e të cilëve edhe të punësuar në Bashkinë Dibër, militantë të PDIU-së, me në krye Zv.Kryetarin e Bashkisë Z.Olti Cani, i PDIU-së, kanë dhunuar një pjesë të stafit të Bashkisë. Ata kanë hyrë me forcë në ambjentet e Bashkisë duke rrahur e goditur rëndë 4 pjesëtarë të tjerë të Stafit të Bashkisë, që aktualisht po kurohen në Spitalin Rajonal Dibër.
Dhunuesit kanë pasur për qëllim të ushtrojnë presion mbi personelin e Bashkisë në mënyrë qe të ndikojnë në vendimet e tyre në funksion të interesave të tyre partiake e klanore. Prej kohësh kjo parti po ushtron presion për të ndikuar në vendimmarrje, dhe kjo situatë ka ardhur duke u përshkallëzuar për shkak të transformimeve dhe ristrukturimit që po ndodh në Bashkinë e Dibër.”
Ai u ka bërë apel instancave ligjzbatuese që të zbardhin incidentin dhe të venë para përgjegjësisë autorët.
/abcnews.al