TIRANË– Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka denoncuar publikisht Chris LaCivita dhe një lobist tjetër, duke thënë se mund të kenë marrë para duke përdorur emrin e tij. Presidenti amerikan thotë se LaCivita nuk ka punuar kurrë për të dhe se do ta hetojë.
Duket se reagimi i Trump lidhet me lobimin e LaCivita për kreun serb të Bosnjës, Dodik, të cilit iu hoq “non grata”, por hetimi i skandalit mund të shtrihet edhe mbi klientët e tjerë të LaCivita, i pari mes tyre një tjetër “non grata”, si Sali Berisha.
Analisti Frrok Çupi, i ftuar në “Ora e Njëmbëdhjetë” në ABC News u shpreh se ky rast duket cilësuar si një skandal i madh, jehona e të cilit ka marrë përmasa ndërkontinentale. Ai theksoi se Shqipëria i ka të freskëta ato skena të Sali Berishës, i cili e kishte caktuar Chris LaCivita si kreun e fushës së tij politike për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2025. Ai theksoi se Berisha e ka paguar atë mbi 20 milionë dollarë.
“Ky është një skandal i madh me përmasa ndërkontinentale. Ka shpërthyer një skandal i tmerrshëm, që do t’ia dëgjojmë zërin këtu dhe në Amerikë. Ne, në Shqipëri, sapo jemi ndarë nga kjo situatë, i kemi ende të freskëta ato skena servilizmi mes Berishës dhe LaCivita, të cilët premtuan parajsën dhe Trump në Shqipëri dhe përfundimisht u larguan nga Shqipëria duke përfituar një sasi shumë të madhe parash, ku flitet më shumë se 20 milionë dollarë”, tha ai.
Ai theksoi se Sali Berisha ka mashtruar sërish qytetarët shqiptarë në vizitën që bëri në SHBA. Sipas Çupit, këto veprime duhet të hetohen me urgjencë.
“Skandali i krijuar nga Berisha, Dodik dhe LaCivita është një skandal i shkallës së gjerë. Berisha mashtroi sërish në emër të Amerikës, kur vizitoi Amerikën, këto janë vepra që duhen të hetohen. Kjo është një tentativë për të blerë influencë nga Shtëpia e Bardhë. I është dhënë goditje stabilitetit në SHBA. SPAK po fle për Berishën dhe ky është një problem shumë i madh”, tha ai.


