Më shumë se 20 mijë nga 31.100 fëmijët që kanë mbërritur në Evropë përmes rrugëve të migrimit në vitin 2025, kanë arritur pa prindër ose kujdestarë, sipas agjencive të OKB-së.
Një raport i përbashkët i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), UNHCR-së dhe UNICEF-it konstaton se numri i përgjithshëm i fëmijëve që mbërritën në Evropë përmes rrugëve detare dhe tokësore ka rënë me 25 për qind krahasuar me vitin 2024.
Megjithatë, sipas raportit, përqindja e fëmijëve të regjistruar si të pashoqëruar është rritur në 67 për qind, nga 51 për qind sa ishte një vit më parë.
Përqindjet më të larta janë regjistruar në Itali dhe Spanjë, ku 86 për qind e fëmijëve të mbërritur kanë qenë të pashoqëruar.
Drejtoresha e Përgjithshme e IOM-it, Amy Pope, ka paralajmëruar se mungesa e rrugëve të sigurta i lë fëmijët të ekspozuar ndaj kontrabandistëve, dhunës dhe shfrytëzimit.
“Fëmijët po ndërmarrin udhëtime të vështira dhe të rrezikshme pa pasur pranë tyre një prind ose kujdestar”, ka thënë Pope, duke bërë thirrje për bashkëpunim më të madh ndërkufitar për mbrojtjen e tyre.
“Asnjë fëmijë nuk duhet të përballet i vetëm me këto rreziqe”, ka thënë ajo. “Përgjegjësia jonë e përbashkët është të punojmë përtej kufijve për t’i mbrojtur ata, për të respektuar të drejtat e tyre dhe për t’u ofruar kujdesin dhe mbështetjen që u nevojiten”, ka deklaruar Pope.
Nga më shumë se 4.600 adoleshentë dhe të rinj të intervistuar përgjatë rrugëve të Mesdheut, Atlantikut të Afrikës Perëndimore dhe Ballkanit Perëndimor, gati gjysma e atyre që janë pyetur për përvojat e tyre kanë raportuar se kanë përjetuar dhunë fizike.
Në rrugën e Mesdheut Qendror, 28 për qind kanë thënë se janë mbajtur kundër vullnetit të tyre, ndërsa 17 për qind kanë raportuar se janë detyruar të punonin, thuhet në raport.
Ndërkohë, numri i fëmijëve që u janë nënshtruar procedurave të zhvendosjes së refugjatëve në Evropë ka rënë në 3.400 në vitin 2025, nga 8.900 një vit më parë.
Ndërkaq, vetëm 199 fëmijë janë zhvendosur mes shteteve evropiane në kuadër të Mekanizmit të Solidaritetit Vullnetar, një rënie prej 67 për qind, thuhet në raport.
Asnjë nga fëmijët e zhvendosur nuk ka qenë i pashoqëruar.
IOM-i u bëri thirrje shteteve anëtare të BE-së që “interesin më të mirë të fëmijës ta vendosin në qendër të çdo vendimi, të garantojnë qasje në kohë në shërbime dhe të mos i ndalojnë kurrë fëmijët për qëllime migracioni”.
“Fëmijët e pashoqëruar dhe të ndarë nga familjet e tyre duhet të kenë qasje të menjëhershme në përfaqësim ligjor”, tha agjencia.


