Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, pritet të zhvillojnë tre takime brenda tre muajsh, nëse nuk ka zhvillime të paparashikuara.
Pas largimit të Xi Jinping drejt Pekinit, Trump bëri të ditur se dy liderët do të takohen në nëntor në Kinë, në qytetin Shenzhen, gjatë samitit të APEC-ut. Një tjetër takim është planifikuar për në dhjetor, në samitin e G20-ës që do të zhvillohet në Florida.
Trump e cilësoi gjithashtu si të suksesshme vizitën e Xi Jinping në Uashington gjatë kësaj jave, duke deklaruar se gjatë takimeve mes dy liderëve “u arrit shumë”.
Ndërkohë, Trump njoftoi të premten se Scott Bessent nuk do të marrë përsipër postin e “Carit të Inteligjencës Artificiale”. Sipas Trump, Bessent dëshiron të qëndrojë në detyrën e tij si Sekretar i Thesarit.
“Së pari, ai nuk dëshiron. Së dyti, ai po bën një punë të shkëlqyer në Departamentin e Thesarit dhe unë dua që ai të qëndrojë atje! Pse do të bëja një ndryshim të tillë?”, shkroi Trump.
Javën e kaluar, presidenti amerikan deklaroi se planifikon të emërojë një këshilltar për inteligjencën artificiale dhe të krijojë një “Forcë të IA-së”, por pa dhënë detaje të mëtejshme mbi mënyrën se si do të funksionojnë këto iniciativa.

