Një ngjarje tejet e rëndë kriminale është parandaluar mesditën e sotme në Shkodër falë reagimit të shpejtë të policisë. Rreth orës 11:30, në ambientet e poliklinikës në lagjen “Vasil Shanto”, pas një konflikti për motive të dobëta, 18-vjeçari Arvin Fregjaj ka plagosur me thikë shtetasin Vildan Kepëca, 32 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Sapo ka marrë vesh lajmin, vëllai i të plagosurit, shtetasi Arben Kepëca, 41 vjeç, është armatosur me një pistoletë me fishek në fole dhe është nisur në këmbë për të vrarë autorin e ngjarjes. Policia, duke marrë informacion në rrugë operative gjatë ndërhyrjes, ka arritur ta lokalizojë 41-vjeçarin.
Ndonëse ky i fundit ka tentuar të largohet dhe ka hedhur armën e zjarrit me municion luftarak, efektivët e kanë neutralizuar dhe e kanë vënë në pranga. Ndërkohë, policia po vijon punën për kapjen e autorit të plagosjes, 18-vjeçarit A. F., ndërsa grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



