Presidenti Donald Trump në konferencën përmbyllëse pas samitit të NATO-s, shprehu zhgënjimin e tij ndaj udhëheqjes së Iranit, pas dështimit gjatë natës të memorandumit të mirëkuptimit që administrata e tij kishte arritur me këtë vend. Ai la të kuptohej se udhëheqja iraniane “mund të mos ekzistojë më” pas rifillimit të armiqësive.
“Ishin ngacmuesit e Lindjes së Mesme, por tani janë një vend krejtësisht ndryshe,” u tha Trump gazetarëve gjatë Samitit të NATO-s në Ankara. “Gjithçka ka marrë fund, udhëheqësit e tyre janë zhdukur. Kishin një grup udhëheqësish, ata nuk janë më. Pastaj patën një grup tjetër, edhe ata nuk janë më. Tani kanë një grup tjetër udhëheqësish, por edhe ata mund të mos jenë më, kush e di?”
Më herët të mërkurën, Trump e cilësoi udhëheqjen në Teheran si “të çmendur” (“cuckoo”) dhe la të kuptohej se planifikonte një valë tjetër sulmesh “shumë të ashpra” gjatë natës.
Gjatë konferencës për shtyp, Trump deklaroi gjithashtu se ai vetë është “objektivi numër një” i Iranit.
“Edhe unë mund të mos jem më, sepse jam objektivi i tyre numër një; kjo është bërë publike kudo,” tha ai. “Jam objektivi i tyre kryesor, sepse janë llum, kështu sillen dhe kështu kanë vepruar për 47 vjet. Por unë po bëj atë që është e drejtë për vendin tim dhe, në fakt, atë që është e drejtë për mbarë botën.”



