Drejtësi e munguar është fraza që shoqëron çdo 21 Janar, që pas atij të vitit 2011, kur katër persona mbetën të vrarë në protestën e opozitës së majtë përpara kryeministrisë.
Edi Rama: “21 janari është kthyer në dëshmitar të pafuqisë së njeriut të zakonshëm të këtij vendi përballë murit qorr dhe shurdh të drejtësisë së tredhur nga korrupsioni. Ziveri, Faiku, Hekurani dhe Aleksi nuk janë më në këtë jetë prej 7 vjetësh. Plaga e padrejtësisë në shpirtin e familjeve është 7-fish. Ka ikur dhe një vit tjetër dhe drejtësia sërish ka vonuar. Të vrarët në bulevard u rivranë në gjykatë”.
Edhe pas shtatë vjetësh qeveria kërkon vendosjen e drejtësisë, këtë herë me shpresën në Shkurt do të nisë ndëshkimi i të korruptuarëve.
Edi Rama: “Drejtësia ka humbur beteja, por jo luftën. Çerekshekull padrejtësi janë shumë, por nuk janë shumë për një komb që nuk ka pasur kurrë shtet të së drejtës dhe institucione demokratike. Gjërat po ndryshojnë në drejtimin e duhur. Reforma në drejtësi ishte utopi, por sot reforma në drejtësi ka kaluar, ethet e frikës nga ndëshkimi i kanë kapur të pushtetshmit. Në Shkurt, me siguri, do të nisë ndëshkimi i të korruptuarve që mbajtën peng drejtësinë për kaq shumë vite. Duhet të ishte bërë me kohë, por nuk u bë dhe kush nuk e bëri me kohë, sot kërcënon të marrë peng Shqipërinë si të tërë, duke e ndaluar të ulet në tryezën e negociatave për anëtarësim në BE”.
Kryeministri Rama tha se lufta ndaj atyre që kanë pushtet është shumë e vështirë, midis të cilëve rënditi edhe fuqi të huaja.
Pas pritjes në Kryemnistri me karafila në duar i drejtohen atyre vendeve ku Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika humbën jetën.
Qeveria Rama ka akorduar një shumë prej 2 milionë eurosh, si dëmshpërmbim për familjarët e viktimave. Kësti i fundit prej 970 mijë eurosh, u dha vitin e kaluar. Qeveria e argumentoi këtë dëmshpërblim si detyrim ndaj vendimeve të gjykatës së Tiranës për këtë ngjarje.
Në opozitë, socialistët e konsideruan krim shtetëror vrasjen e 4 protestuesve.
Sipas gjykatës, vrasjet ishin kryer nga pakujdesia, për pasojë, ish komandati i gardës Ndrea Prendi u dënua me 1 vit burg, dhe gardisti Agim Llupo me 3 vjet burg./abcnews.al